Turqia ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike me zbulimin e një rezerve të re prej 75 miliardë metrash kub (bcm) gaz natyror në Detin e Zi. Lajmi u bë i ditur të shtunën nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një eventi në Stamboll.
“Me këtë zbulim, në një periudhë 3.5 vjeçare, do të jemi në gjendje të përmbushim nevojat për gaz natyror të të gjitha familjeve në Turqi,” deklaroi Erdogan, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij zhvillimi për ekonominë dhe sigurinë energjetike të vendit.
Zbulimi u realizua në pusin Goktepe-3, në një thellësi prej 3,500 metrash, dhe vlerësohet të ketë një ndikim ekonomik prej rreth 30 miliardë dollarësh. Ky është një prej zbulimeve më të mëdha që Turqia ka bërë në vitet e fundit në fushën e energjisë.
Aktualisht, prodhimi ditor i gazit natyror në fushën Sakarya – zona kryesore e prodhimit në Detin e Zi – ka arritur në 9.5 milionë metra kub. Kjo rritje e kapaciteteve prodhuese vjen në një kohë kur vendi po shton përpjekjet për të reduktuar varësinë nga importet dhe për të forcuar pozicionin e tij si një aktor rajonal në fushën e energjisë.