Hamasi ka propozuar lirimin e më shumë pengjeve izraelitë sipas një marrëveshjeje të re për armëpushim në Gaza. Bisedimet filluan disa orë pasi ushtria izraelite nisi një ofensivë të re të madhe në Rripin e Gazës. Hamasi ka rënë dakord të lirojë nëntë pengje në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli, tha një zyrtar palestinez për BBC-në.
Zyrtari tha se marrëveshja e re e propozuar do të lejonte gjithashtu hyrjen e 400 kamionëve me ndihma në ditë dhe evakuimin e pacientëve mjekësorë nga Gaza, shkruan A2 CNN. Izraeli, nga ana tjetër, ka kërkuar prova të jetës dhe informacion të detajuar në lidhje me të gjithë pengjet e mbetura. Raundi i ri i bisedimeve për armëpushim po mbahet nëpërmjet ndërmjetësve të Katarit dhe SHBA-së në Doha dhe filloi të shtunën pasdite sipas kohës lokale.
Izraeli ende nuk i është përgjigjur publikisht marrëveshjes së propozuar, por tha para bisedimeve se nuk do të tërhiqte trupat nga Gaza dhe as nuk do të angazhohej për t’i dhënë fund luftës. Sipas BBC propozimi nuk do të përfshijë këto elementë. Ushtria izraelite njoftoi nisjen e një ofensive të re të quajtur “Operacioni Karrocat e Gideonit” më herët të shtunën, mes valës më vdekjeprurëse të sulmeve në Gaza në muaj të tërë.
Ndërkohë raportotet se një sulm ajror izraelit vrau të paktën 24 palestinezë në një kamp që strehonte familje të zhvendosura në Rripin jugor të Gazës. Ljamin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale shëndetësore. Izraeli zgjeroi ofensivën e tij ushtarake në enklavë dhe shtoi bombardimet që kanë vrarë qindra njerëz gjatë 72 orëve të fundit. Mjekët thanë se sulmi i fundit që vrau gjithashtu gra dhe fëmijë, plagosi dhjetëra njerëz të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmet izraelite në ditët e fundit kishin vrarë qindra palestinezë, pavarësisht një vizite të presidentit amerikan Donald Trump në rajon. Hamasi e përshkroi sulmin si një “krim të ri brutal” në një deklaratë të dielën dhe fajësoi administratën amerikane për përshkallëzimin. Ushtria izraelite nuk komentoi sulmet e fundit, por tha në një deklaratë të mëparshme se po kryente sulme të gjera në zonat e Gazës si pjesë e planit të saj për të arritur objektivat e saj të luftës.