Pas më shumë se shtatë muaj nga përfundimi i hetimeve paraprake, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen e shumëpërfolur “Partizani”, në të cilën është i pandehur ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Berisha do të përballet për herë të parë në gjykimin themelor nën akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, një akuzë që ai e ka mohuar vazhdimisht si të pabazuar dhe politike.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, deklaroi për mediat se nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar, duke theksuar se kjo zgjedhje bazohet në bindjen e mbrojtjes se mungon fakti penal. “Kemi leximin tonë të ligjit, germë për germë, faqe për faqe”, u shpreh ai, duke shtuar se sipas mbrojtjes, aktet e dosjes janë të pavlefshme dhe të papërdorshme.
Në këtë proces është përfshirë edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, ndaj të cilit rëndon një akuzë më e ashpër – pastrim parash. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-kryeministri Berisha, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, krijoi kushtet ligjore që i lejuan dhëndrit të përfitonte nga privatizimi i truallit të ish-klubit sportiv “Partizani”, mbi të cilin sot janë ndërtuar 19 kulla.
Në dosje janë përfshirë edhe emra të tjerë si biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja, si dhe noterja Andia Pustina, të cilët akuzohen për përfshirje në procesin e dyshimtë të privatizimit.
Ndërkohë, mbrojtja e Berishës ka ngritur akuza të forta edhe ndaj gjyqtares së hetimeve paraprake, Irena Gjoka, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të vendimmarrjeve të saj me pretendimin se ajo është dënuar më parë nga autoritetet greke. Avokati Gjokutaj theksoi se: “Është më mirë kur ikën vetë me këmbët e tua se kur të heqin. Ne po luftojmë në një terren që nuk ka sy që shikojnë dhe nuk ka veshë që dëgjojnë”.
Gjykimi do të vijojë tashmë nën drejtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, e cila ka marrë në dorë çështjen pas ndërrimit të trupës gjykuese. Çështja “Partizani” pritet të jetë një nga proceset më të ndjekura të viteve të fundit, jo vetëm për shkak të personazheve të përfshirë, por edhe për implikimet politike që mbart.
Për më shumë zhvillime nga gjykimi i dosjes “Partizani”, qëndroni me ne.