Sot, në fshatin Vrellë ka filluar procesi i rivarrosjes së eshtrave të dëshmorëve të Komunës së Istogut, i cili do të zhvillohet sipas një rendi të paracaktuar në fshatrat e komunës.
Ky proces po realizohet nga Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Memorialeve të Kosovës (AMMKM), institucionet komunale dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK).
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës së Istogut, z. Ilir F. Ferati, i cili në fjalën e tij u shpreh:
“Rivarrimi i eshtrave të dëshmorëve në një kompleks të përbashkët është një akt i dinjitetshëm dhe i domosdoshëm për t’u kujdesur siç duhet për kujtesën tonë historike. Sot, Istogu nderon bijtë dhe bijat më të mirë që i dhanë liri Kosovës. Bashkë me familjarët dhe bashkëluftëtarët, po ndërtojmë një hapësirë të përbashkët kujtimi, respekti dhe mirënjohjeje”.