Kandidatja e PS-së kërkoi pamjet e numërimit të votave, reagon Rama: Ju këshilloj të mos ndiqni këtë rrugë

by Nexhat

Pas kërkesës së Blerina Gjylametit për të kërkuar pamjet të numërimit të votave për qarkun e Tiranës, ka reaguar edhe kryeministri Rama.

Raportohet se Rama ka kërkuar në formë këshillë që të mos ndiqet kjo rrugë. Sipas informacioneve, Rama nuk ka urdhëruar që të heqë dorë, por u ka kujtuar socialistëve që janë skuadër. Dhe këto ankimime, sipas tij, do ta dëmtonin më shumë kandidatin humbës dhe të gjithë njerëzit që prej me shumë se një jave kanë numëruar.

banner

Gjithashtu, Rama beson se nuk ka patur asnjë çrregullim në proces.

Edhe pse në mesazh Rama nuk i referohet me emër Gjylametit, ndër të tjera shton që diferenca është e madhe për të patur pretendime.

Mesazhi i plotë i Ramës

“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.

E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”, mbyllet mesazhi i Ramës./A2 CNN

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy