Bajrami sulmon Qeverinë: Liberalizimi i tregut të energjisë, goditje për bizneset – përfiton ‘mafia energjetike’

by informim peje

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverinë për mënyrën si po menaxhohet procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

Ajo tha se disa deputetë të VV-së kanë mbledhur odat dhe shoqatat e biznesit “kinse për të dëgjuar brengat e tyre”, ndërkohë që liberalizimi i tregut, sipas saj, po çon në rritje të faturave të energjisë deri në 260% për rreth 1300 biznese.

banner

“Dje, disa prej deputetëve të VV-së kishin mbledhur odat dhe shoqatat e biznesit kinse për të dëgjuar brengat e tyre lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë – një proces që po u rrit faturat deri në 260% për rreth 1300 biznese,” deklaroi Bajrami.

Ajo shtoi se kërkesa e vetme e këtyre bizneseve është që vendimi për liberalizim të shtyhet për një vit.

“E dini cila është kërkesa e bizneseve? Që vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë të shtyhet për një vit – kaq,” tha ajo.

Sipas saj, në vend që kjo kërkesë të merrej parasysh, zyrtarët qeveritarë kanë ofruar masa të tjera që nuk adresojnë problemin real.

“Ata që ende e quajnë veten ministra, kanë thënë se do t’i ndihmojnë bizneset duke subvencionuar izolimin e ndërtesave. Merreni me mend: një metal përpunues, për të cilin rryma përbën 30% të kostos së prodhimit, këta i thonë të izolojë ndërtesën dhe të kursejë me ujë të vakët. Kaq dinë këta, ose kaq duan të thonë – sepse prodhimi vendor nuk është në prioritetin e tyre.”

Bajrami kritikoi edhe qasjen e qeverisë ndaj tregtarëve, duke e quajtur justifikimin e saj si të papranueshëm dhe të padijshëm.

“Qeveria thotë se nuk mund të subvencionojë energjinë për korporatat që fitojnë qindra miliona euro. Por ata nuk marrin parasysh se kostoja shtesë përfundimisht bie mbi qytetarët – sidomos ata me të ardhura të ulëta – sepse çmimet e produkteve bazë do të rriten. Dhe për qytetarët, këta as që mërziten.”

Ajo akuzoi qeverinë se po i shërben interesave të asaj që e quajti “mafia energjetike”, për të cilën, sipas saj, edhe Albin Kurti kishte folur para se të bëhej kryeministër.

“Kushdo që analizon të dhënat për tregtimin e energjisë, e kupton qartë se këto politika favorizojnë mafian energjetike – për të cilën deputeti Kurti ka folur me kompetencë para se të vinte në pushtet. Nga ‘Duaje tënden’ në ‘Shkatërro tënden dhe blej nga importi’ – një metamorfozë si kjo e VV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës.”

Ajo kujtoi se VV kishte ardhur në pushtet me qëndrim të ashpër kundër importit të mallrave nga Serbia dhe ishte larguar nga pushteti për të mos hequr taksën 100% ndaj mallrave serbe, por tani, sipas saj, ka përmbysur çdo parim.

“Erdhën në pushtet duke përmbysur kamionë me mallra nga Serbia, dhe sot janë në krah të importit dhe kundër prodhuesve vendorë.”

Bajrami përmendi gjithashtu deficitin tregtar të Kosovës, duke e lidhur atë me politikat aktuale të qeverisë Kurti.

“Kosova ka pasur deficit tregtar rreth 38 miliardë euro për periudhën 2001–2021, ndërsa 19 miliardë vetëm gjatë qeverisjes së Kurtit. Ai ka shpërndarë qindra miliona nga buxheti për të blerë paqe sociale dhe vota, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmirësuar ekonominë vendore – që do të përmirësonte jetën e qytetarëve.”

Në fund, Bajrami njoftoi se të martën në ora 14:00, do të mbahet një takim me përfaqësues të shoqatave të biznesit, ZRRE-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe KESCO-n, për të diskutuar rreth pamundësisë së liberalizimit të tregut në mungesë të konkurrencës.

“Nesër në ora 14:00 kemi ftuar përfaqësuesit e shoqatave të biznesit, ZRRE-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe KESCO-n për të argumentuar se për momentin nuk mund të ketë liberalizim të tregut pa konkurrencë reale. Do të diskutojmë gjithashtu për keqinterpretimin e nenit 37 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe do të zotohen si deputetë se do ta trajtojmë seriozisht këtë çështje. Nëse ndonjë shoqatë nuk ka marrë ftesë, por është e prekur nga ky proces – jeni të mirëseardhur!”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy