Malushaj kërkon hetim të vendimit të ZRRE-së – Bizneset të bashkohen dhe të mbrojnë interesat e tyre

by engel

Prishtinë, 20 maj 2025 – Hamdi Malushaj, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe pronar i dy kompanive të mëdha, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin e bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi nga muaji qershor.

Në një intervistë për emisionin “Info Plus” në RTK, Malushaj deklaroi se vendimi i ZRRE-së do të sjellë rritje të ndjeshme të kostos për bizneset, duke përmendur se vetëm për dy kompanitë e tij, shpenzimet pritet të rriten me mbi 200 mijë euro.

banner

“Unë dyshoj në vendimin e ZRRE-së. Dje jemi takuar me kryeministrin dhe ia kam paraqitur nenet e ligjit që janë shkelur – neni 5, 22, 23, 24, 36, 49 e shumë të tjerë. Vendimi është marrë në një kohë kur vendi nuk ka parlament funksional, ndërkohë që ZRRE-ja është përgjegjëse ndaj tij. Ky proces është zhvilluar në vakum institucional,” deklaroi Malushaj.

Ai theksoi nevojën për transparencë dhe përgjegjësi ligjore, duke kërkuar që vendimi të auditohet nga një komision i pavarur dhe të hetohet nga organet kompetente.

“Duhet të krijohet një komision që e auditon vendimin e ZRRE-së. Vendimi duhet të jetë transparent dhe i bazuar në ligj. Unë kisha kërkuar që të hetohet ky vendim nga prokuroria dhe gjykatat. Le të dalë në shesh e vërteta. ZRRE ose nuk e di çfarë po bën, ose është bërë palë me interesa të caktuara,” u shpreh ai.

Malushaj u bëri thirrje bizneseve që të bashkohen dhe të mbrojnë interesat e tyre përballë një vendimi që, sipas tij, mund të ketë pasoja të rënda ekonomike.

“Bizneset duhet të organizohen. Qeveria ka përgjegjësi të veprojë dhe të shohim çfarë do të bëjë për të mbrojtur ekonominë nga ky vendim i njëanshëm,” përfundoi ai.

ZRRE ende nuk ka reaguar lidhur me këto akuza, ndërsa debati për liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë vazhdon të thellohet, sidomos në mungesë të një kuadri të plotë institucional.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy