Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka takuar komisioneren evropiane Marta Kos dhe përfaqësues të Odave nga vendet e rajonit, duket theksuar rolin kyç të OEK-ut në procesin e integrimit evropian.
Ai u shpreh se Kosova do të përfitojë ndjeshëm nga Plani i Rritjes së BE-së, por kërkoi heqjen e masave ndëshkuese që pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
“Sot, së bashku me Presidentin Vladimir Dlouhy të Eurochambres dhe kryetarë të Odave Ekonomike të vendeve kandidate dhe atyre potenciale takuam Komisioneren Marta Kos, zhvilluam një dialog mjaft produktiv në lidhje me rolin thelbësor të Odave Ekonomike në avancimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Për Kosovën, ky dialog është veçanërisht i rëndësishëm ndërsa ne përpiqemi drejt një integrimi më të ngushtë me Bashkimin Evropian”, tha Lulzim Rafuna, Kryetar i OEK-ut.
”Gjatë diskutimeve tona, u theksua mbi rëndësinë jetike të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke njohur potencialin e tij për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe reformat strukturore në rajonin tonë. Megjithatë, që ky potencial të realizohet plotësisht, është thelbësore të adresohen masat ndëshkuese ekzistuese politike dhe ekonomike ndaj Kosovës të vendosura nga Unioni Evropian, që pengojnë progresin e Kosovës. Këto masa krijojnë pengesa të panevojshme për bizneset tona dhe ekonominë e Kosovës, përkatësisht minojnë përpjekjet tona për të marrë pjesë plotësisht në tregun evropian. Heqja e këtyre barrierave nuk është vetëm çështje e drejtësisë ekonomike, është thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës”, thuhet ndër tjera në njoftimin e OEK-së.
”Plani i rritjes së BE-së për Ballkanin perëndimor ka për qëllim rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit perëndimor, në këtë rast edhe Kosovën dhe nga ana tjetër masat politike dhe ekonomike kundër Kosovës ndikojnë drejtpërdrejtë dhe nuk është në koherencë me planin zhvillimor të po këtij plani”- tha Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe kryetar i Bordit Menaxhues të Odave Ekonomike të Ballkanit perëndimor.
Oda Ekonomike e Kosovës thotë se është e nderuar që do të jetë partner kyç i Komisioneres Evropiane duke kontribuar në harmonizimin e ekonomisë sonë me standardet e BE-së.