Pas një periudhe të gjatë pritjeje, shumë shtyerjesh dhe anulimesh të tenderëve, më në fund është bërë një hap konkret drejt ndërtimit të stadiumit të ri të Gjilanit. Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka bërë të ditur përmes një postimi në “Facebook” se kontrata për rindërtimin e stadiumit është nënshkruar dhe punimet do të nisin shumë shpejt.
“U nënshkrua kontrata për Stadiumin e Gjilanit. Shumë shpejt nisin punimet dhe nis edhe një epokë e re për sportin në Gjilan. Urime të gjithë sportdashësve dhe sportistëve, ky është stadiumi që e kemi meritu prej kohësh. Shpejt, shumë shpejt… shihemi në stadiumin e ri”, ka shkruar Hyseni.
Stadiumi i ri do të jetë arenë e përbashkët për dy klubet më të njohura të qytetit, SC Gjilani dhe FC Drita, të cilat deri më tani kanë zhvilluar ndeshjet e tyre në një stadium me bari sintetik, që nga viti 2021.
Ky projekt pritet të jetë një kthesë e rëndësishme për zhvillimin e sportit në qytet, si dhe një shtysë e madhe për entuziazmin e tifozëve, të cilët prej vitesh kanë kërkuar kushte më të mira për përkrahjen e skuadrave të tyre të zemrës.
Ndërtimi i stadiumit të ri do të jetë një ogur i mirë për të ardhmen e futbollit në Gjilan – dhe një dëshmi se pritja, më në fund, po shpërblehet.