Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë një kërkesë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e ftuar që të kandidojë vetë për kryetar të kryeqytetit në zgjedhjet e ardhshme.
Rama u shpreh i bindur se do ta mposhtte në një përballje direkte Kurtin.
”Unë i kisha sugjeru Albin Kurtit që të kandidojë se e di që e don shumë pozitën e kryetarit të kryeqytetit. Kështu që mos me shti dikë aty veç me humb me djeg po vetë me kandidu ma s’miri. Unë mendoj që Albin Kurtit nuk i intereson zhvillimi i kryeqytetit, zhvillimi ekonomik apo urban i një zone. I intereson historia, i intereson filozofia, kështu që nuk kam asnjë dyshim se e mundi në kryeqytet”, tha Rama.
Rama ka konfirmuar zyrtarisht se do të rikandidojë për një mandat të dytë në krye të kryeqytetit.
Rama tha se pavarësisht sfidave dhe pengesave politike, është i vendosur të vazhdojë punën dhe projektet për zhvillimin e qytetit.
”Unë qytetarëve ju kërkoj me reflektu dhe me pa që përkundër këtyre problemeve nuk ka pasur zhvillim më shumë. Ne nuk ndalim dhe askush nuk ka që na ndal përveç votës së qytetarëve. Po, do të jem kandidat për kryetar të Prishtinës. Unë i besoj elektoratit besoj që ata shohin”, tha Rama, teksa u shpreh i bindur në fitore.
”Patjetër që do të bëhem”, tha ai.
Rama ka akuzuar ministrin e Kulturës në detyrë, Hajrulla Çekun, për shpërndarje të gënjeshtrave dhe mungesë bashkëpunimi në projekte kyçe për kryeqytetin
“Ky njeri, kur ka ardh tek ne me kërku hapësira për teatrin. Ne kemi qenë të hapur dhe i kemi ofru hapësira dhe kemi bashkëpunuar, por edhe për disa projekte tjera. Ne e presim për disa kohë dhe ky nuk i realizon ato projekte. Por ja që ky ministër, që ne i kemi ndihmuar për çdo send, del flet gënjeshtra të cilat normal që e shpërfillin karakterin e tij. Ka gënjyer edhe për gjëra të tilla,” tha Rama.
Ai ka thënë se përkundër thirrjeve për bashkëpunim rreth projekteve strategjike si Unaza e Kryeqytetit dhe Fshati Olimpik, kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka kushtëzuar atë gjithçka me përfshirje politike në Vetëvendosje.
”Po, normal ishte takimi. Unë kam kërkuar që çdo herë të takohem me Kurtin për çështjen e kryeqytetit. Në shtator të vitit 2023, kur ne e morëm drejtimin që të jemi nikoqir të Lojërave Mesdhetare, i thashë dhe ju luta që tash e kemi për detyrë që të bashkëpunojmë. Na vyn unaza e kryeqytetit. Na vyn fshati olimpik. Na vyjnë zhvillimet e infrastrukturës dhe ju lutem mos i bllokoni. Tha: ‘Eja me neve dhe s’ka problem’. I thashë: ‘Si me neve? Unë jam me neve. Kush është neve? Neve jemi të gjithë. Unë nuk po du me bisedu me kryetarin e VV-së, por me kryeministrin e Kosovës. Atu shihet se kryeministri në detyrë nuk sheh as Kosovë, as Shqipëri, as shqiptarë, as asgjë përtej ku është VV-ja. Deri ku është VV-ja është Kosova, deri ku është VV-ja është Shqipëria. Kjo është një ideologji e mangët, një ideologji që i ka kaluar koha. Është autokraci. Ai nuk don demokraci, por autokraci. Kjo është rrezik i madh për vendin tonë,” tha Rama.
Ai ka paralajmëruar se mosfunksionimi i institucioneve dhe bllokimi i projekteve infrastrukturore nga ana e Qeverisë mund të rrezikojë seriozisht mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
”Edhe për Lojërat Mesdhetare, sepse me këtë mos krijimin e institucioneve edhe kjo mundet me qenë në rrezik, kjo infrastrukturë na duhet nga dje, por këta po luajnë lojëra. Normal që nëse vazhdon ky proces dhe ne nuk krijojmë institucione, janë në rrezik”, tha Rama. /RTV21