Rekruti rus i plagosur në luftën në Ukrainë: Më dërguan në front pa dëshirë, tani jam invalid dhe pa ndihmë

by Nexhat

Në dhjetor të vitit 2023, Aleksandri, një i ri 18-vjeçar nga qyteti siberian Ulan-Ude, u thirr për shërbim ushtarak të detyrueshëm në Forcat e Armatosura të Rusisë, njësoj si dhjetëra mijëra bashkëmoshatarë të tij.

Katër muaj më vonë, pothuajse 7.000 kilometra më larg, ai gjendej duke gërmuar llogore dhe strehimore përgjatë kufirit ruso-ukrainas. Pak më pas, ishte i detyruar të fshihej në të njëjtat llogore, përballë trupave ukrainase dhe sulmeve me dronë kamikazë.

banner

“I rezulton se më kanë dërguar në zonën e luftës në mënyrë të paligjshme, pa më pyetur fare,” tha ai për Radion Evropa e Lirë muajin e kaluar. Për arsye sigurie, Aleksandri kërkoi të mos publikohej mbiemri i tij.

Rasti i Aleksandrit hedh dritë mbi një nga temat më të ndjeshme në politikën ruse, një temë që presidenti Vladimir Putin vazhdimisht ka shmangur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 – përfshirjen e rekrutëve në luftime aktive.

Ligji i ndalon, por realiteti i çon në luftë

Edhe pse ligji rus ndalon që rekrutët – zakonisht meshkuj 18-vjeçarë që kryejnë shërbimin njëvjeçar – të dërgohen në zonat e luftimeve, realiteti në terren është tjetër. Aktivistët dhe avokatët pohojnë se shumë prej tyre mashtrohen ose detyrohen të nënshkruajnë kontrata “vullnetare” për përfshirje në luftë, vetëm katër muaj pas trajnimit bazë.

Një shembull është Aleksandri, i cili fillimisht shërbeu në rajonin Amur pranë kufirit me Kinën. Ai ishte pjesë e njësisë së Trupave Hekurudhore, të ngarkuar me logjistikë dhe menaxhimin e transportit ushtarak. “Trajnimi ynë ishte minimal. Kishim vetëm disa herë ushtrime me armë,” tha ai.

Në prill të vitit 2024, ai dhe shtatë të tjerë u dërguan në rajonin Brjansk, që kufizohet me Ukrainën. Fillimisht, u urdhëruan të gërmonin bunkerë për Gardën Kufitare. Sipas tij, në atë zonë nuk kishte asnjë ushtar profesionist apo rezervist të mobilizuar – vetëm rekrutë.

“Edhe komandanti ynë i togës ishte rekrut, thjesht kishte studiuar më parë në akademinë ushtarake,” shton ai.

Nën zjarr, pa të drejtë të tërhiqen

Më 6 gusht 2024, pasi trupat ukrainase ndërmorën një sulm të befasishëm në rajonin fqinj Kursk, njësi e Aleksandrit u vendos në gatishmëri. “Shpejt gërmuam disa llogore të vogla dhe thjesht qëndruam aty,” tregon ai.

Sipas tij, rekrutët u vendosën në vijën e parë të frontit, përpara forcave profesioniste dhe pajisjeve më të avancuara. U ndalua rreptësisht çdo tërheqje pa urdhër. “Njëherë, ishim nën zjarr për disa orë. Nuk mund të tërhiqeshim, sepse nëse largoheshim, ne do të zbulonim pozicionet tona dhe ushtarët tanë mund të na qëllonin,” tha ai.

Në një nga sulmet me dron, një shpërthim afër shkaktoi te ai një tronditje të rëndë – e pesta me radhë. Më vonë, në tetor, u plagos përsëri kur një copëz shrapneli i preku këmbën e majtë. U transferua në një klinikë ushtarake në Borzja.

Mjekët, sipas tij, nuk ia shpjeguan qartë lëndimin, meqë do të ishte provë se një rekrut ishte plagosur në betejë – gjë që shkel ligjin rus. Kjo e përjashtoi atë edhe nga çdo kompensim për lëndimin në luftë.

I liruar, i lënduar dhe pa të ardhura

Më 10 dhjetor 2024, saktësisht një vit pas rekrutimit, Aleksandri u lirua nga ushtria. Ende i lënduar, ai kishte vështirësi në ecje dhe përdorte një shkop për t’u mbajtur.

“Qëndrova në spital derisa më liruan. Më lanë invalid dhe pa asnjë ndihmë financiare,” tha ai. Ai gjithashtu vuan nga sulme paniku – çdo zhurmë e papritur e bën të mendojë për dronët.

Tani, Aleksandri thotë se planifikon të paraqesë një ankesë zyrtare në Prokurorinë Ushtarake, për të kërkuar që t’i njihet pjesëmarrja në zonën e luftës dhe të marrë kompensimin e merituar për plagët që ka marrë. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy