Tirana ka qenë mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Europian, një event që përforcon pozitën e Shqipërisë si një vend me rol të rëndësishëm në rajon. Eksperti i integrimit europian, Gledis Gjipali, në një intervistë për News24, tha se ky Samit dërgoi një mesazh të qartë për nevojën e unitetit europian, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe ekonomisë
Sipas Gjipalit, fakti që Tirana priti këtë event të nivelit të lartë është dëshmi e përputhshmërisë së Shqipërisë me politikat e sigurisë së BE-së. Ai theksoi se vendi ynë konsiderohet si një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, një aspekt kyç për aspiratat integruese të vendit
Megjithatë, Gjipali paralajmëron se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk është e lehtë. Ai përmendi se ka shtete anëtare që tregohen skeptike ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Duke sjellë si shembull Kroacinë, e cila u përball me sfida serioze përpara anëtarësimit, si lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i sektorëve ekonomikë si turizmi, Gjipali nënvizon se edhe Shqipëria duhet të përballojë sfida të ngjashme për të përmbushur kriteret e nevojshme për anëtarësim
Eksperti i integrimit, Gledis Gjipali: Mesazhi kryesor në Samit ishte që Europa të mbetet e bashkuar. Kishte edhe mesazhe për sigurinë, por edhe për ekonominë e përbashkët europiane. Vitet e fundit, Tirana ka mikpritur Samite të rëndësishme. Është mesazh, që Shqipëria është një vend tërësisht në përputhje me politikën e sigurisë së BE-së. Vendi ynë po ashtu vlerësohet edhe si faktor stabiliteti në Ballkan. Kjo bëhet që Shqipëria të integrohet në BE, rrugë që nuk është e lehtë, ka shumë pengesa. Ka dhe vende brenda Bashkimit Europian që shpesh herë nuk e duan zgjerimin e Bashkimit Europian. Kroacia kur hyri në BE kishte disa probleme, pasi kishte kriminelë lufte, por luftoi korrupsionin dhe zhvilloi shumë turizmin e saj. Shumë shtete europiane kanë ndryshuar qëndrim për zgjerimin, edhe pas luftës në Ukrainë, pasi duan të kenë të shtuar sigurinë