Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se pas inspektimeve të zhvilluara në disa furra të bukës në Prishtinë dhe Gjakovë, është vërtetuar se rritja e çmimeve është bërë përmes marrëveshjeve të ndaluara dhe koordinimit mes operatorëve të tregut.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Autoriteti ka identifikuar shkelje të nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës (marrëveshje të ndaluara – kartele) nga subjekte të sektorit të bukës në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prishtinës. Këto shkelje lidhen me bashkërendimin e çmimeve mes furrtarëve për produkte të ndryshme, çka përbën shkelje ligjore.”
Aktualisht, po ndërmerren hapat e nevojshëm për fillimin e hetimeve formale ndaj këtyre subjekteve, në përputhje me dispozitat ligjore.
Autoriteti gjithashtu po shqyrton vendosjen e masave të përkohshme, të cilat përfshijnë mbylljen e përkohshme të operatorëve ekonomikë deri në 6 muaj, si masë parandaluese për shkelje të mëtejshme.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur rritja e çmimeve të produkteve bazike, përfshirë bukën, ka ngjallur shqetësim të gjerë te qytetarët në mbarë vendin.