ShBA, 20 maj 2025 – Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe analisti politik që jeton në Shtetet e Bashkuara, UK Lushi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “shqiptarin më të padijshëm” që ka njohur ndonjëherë.
Deklarata e fortë e Lushit erdhi pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e objektit për banim të përballueshëm në qytetin e Podujevës, një nismë e promovuar nga Qeveria e Kosovës me synimin për të ndihmuar kategoritë në nevojë në sigurimin e strehimit.
Por për UK Lushin, kjo qasje është e gabuar dhe pa logjikë ekonomike. “Albin Kurti është shqiptari më i padijshëm që kam njohur në jetën time,” ka shkruar ai në një postim të gjatë në rrjetet sociale. “Ky njeri, që nuk ka bërë asgjë tjetër përveç politikës gjatë gjithë jetës së tij, nuk ka asnjë njohuri për qeverisje apo menaxhim.”
Lushi e kritikon idenë e ndërtimit të banesave të reja nga shteti, ndërkohë që, sipas tij, në Kosovë ka mbi 182 mijë banesa të pabanuara që qëndrojnë nën dry. “Në vend se të taksohen këto prona të papërdorura, për të liruar tregun dhe për të ndikuar në uljen e çmimeve për të rinjtë dhe çiftet e reja, qeveria po ndërton më shumë banesa me para të qytetarëve, duke krijuar sipas tij ‘enklava të varfërisë dhe parazitizmit’.”
Ai bën thirrje që në vend të “lëmoshës shtetërore”, të krijohen politika që nxisin punësimin, konkurrencën dhe tregun e lirë. “Njerëzit nuk duan ndihmë sociale, por duan mundësi. Taksoni banesat që nuk banohet më shumë se gjashtë muaj në vit dhe lejoni që qytetarët të kenë qasje të drejtë në treg,” ka shkruar ai.
Në fund të reagimit të tij, Lushi e akuzon Kurtin për populizëm dhe paaftësi në menaxhimin e fondeve publike, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një drejtim të ri që vendos zhvillimin dhe përgjegjësinë në qendër të politikave publike.