Kaja Kallas viziton Prishtinën – takim me liderët e partive, jo me institucionet shtetërore

by engel

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të qëndrojë nesër në Prishtinë, në kuadër të një vizite rajonale që e ka nisur sot në Beograd. Agjenda e publikuar nga BE-ja ka ngritur vëmendje dhe interpretime të ndryshme në Kosovë, pasi në të nuk parashikohet asnjë takim me përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Sipas njoftimit zyrtar të Brukselit, Kallas do të zhvillojë takime me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, ndërsa do të mbajë një konferencë për media në Shtëpinë e Evropës, më 22 maj në orën 15:45, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën EBS.

banner

Gjithashtu, ajo do të vizitojë Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) si dhe do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Enriko Barduani.

Takime politike pa institucionet shtetërore
Burime nga BE dhe nga subjektet politike në Kosovë bëjnë të ditur se takimet me liderët e partive do të zhvillohen në ambientet e Zyrës së BE-së në Prishtinë, ku janë ftuar krerët e partive politike dhe disa përfaqësues të tjerë të rangut të lartë.

Sipas burimeve të “Express”, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, do të takohet me Kallasin në orën 18:40 të së enjtes. Ndërsa nga LDK, në takimin me përfaqësuesen e lartë do të marrin pjesë kryetari Lumir Abdixhiku, nënkryetari Lutfi Haziri dhe nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili.

Interesant mbetet fakti që në agjendën zyrtare nuk përmendet asnjë takim me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ndonëse ai vazhdon të pretendojë legjitimitet institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Një qasje e tillë e BE-së sugjeron se Kallas e trajton Kurtin në cilësinë e liderit të partisë LVV, një qasje që bie në përputhje me qëndrimin e zyrës së BE-së në Kosovë, që i referohet si “kryeministër në largim”.

Pa takim me Presidenten
Takimi i vetëm i paralajmëruar më herët mes Kallasit dhe Presidentes Vjosa Osmani u zhvillua javën e kaluar në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Ndërkohë që gjatë vizitës së nesërme në Prishtinë, një takim i tillë nuk do të ndodhë – për shkak të një vizite zyrtare të Presidentes në Zvicër.

Mbetet pezull mesazhi i vizitës
Vizita e Kallasit në Kosovë, pa takime me udhëheqësit institucionalë të vendit, por vetëm me liderë të partive politike dhe shoqëri civile, ka ngjallur debat në skenën politike dhe në opinionin publik. Ajo shihet si një sinjal politik i BE-së lidhur me bllokimin aktual institucional dhe legjitimitetin paszgjedhor, ndërsa vetë partitë nuk kanë publikuar ende agjenda zyrtare për takimet e tyre me kryediplomaten evropiane.

Kjo vizitë vjen në një kohë të ndjeshme për Kosovën, mes bllokadës për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe sfidave të vazhdueshme në raport me procesin e integrimit evropian.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy