Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot seancën e 19-të me radhë në përpjekje për t’u konstituuar, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Pavarësisht thirrjeve për zhbllokim institucional, partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Për disa seanca me radhë nuk ka arritur të kalojë propozimi për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të propozojë Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por pa mbështetjen e mjaftueshme nga partitë e tjera.
Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00.
Ndryshe, të enjten presidentja, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim me liderët e partive, ku takimi ka përfunduar pa rezultate konkrete për dalje nga ngërçi politik.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.