Rasti i raportuar si rrëmbim i një të miture në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, i denoncuar në orët e para të 21 majit, ka rezultuar të jetë një kallëzim i rremë, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.
Denoncimi fillestar pretendonte se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të dyshuar dhe ishte liruar pas një ore.
Gjatë incidentit të pretenduar, ishte raportuar gjithashtu se nëna e të miturës ishte lënduar lehtë gjatë tentativës për të ndërhyrë.
Pas pranimit të informacionit, njësitet hetimore të stacionit policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ndërmorën veprime intensive hetimore duke përdorur kapacitetet profesionale dhe teknike për zbardhjen e ngjarjes.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe analizave të detajuara, është konfirmuar se nuk ka pasur asnjë rrëmbim të vërtetë – kemi të bëjmë me një kallëzim të rremë”, ka njoftuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Policia njofton se hetimet për rastin po vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe identifikimit të përgjegjësive ligjore që dalin nga ky kallëzim