Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar opinionin publik përmes një postimi në Facebook, për momentet duke mirëpritur në Prishtinë znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Në postimin e saj, ministrja Gërvalla-Schwarz ka theksuar rëndësinë e kësaj vizite për Kosovën, në një moment kur vendi po intensifikon angazhimin e tij në forcimin e institucioneve demokratike, garantimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e rrugës euroatlantike.
“Republika e Kosovës është një aktor i përgjegjshëm ndërkombëtar, një partnere e besueshme dhe një kontribuuese reale në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në kontinentin tonë. Me vullnet të palëkundur politik dhe mbështetje të gjerë qytetare, rruga jonë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO është e qartë dhe e pakthyeshme,” ka deklaruar Gërvalla-Schwarz.
Mesazhi i vizitës
Vizita e znj. Kallas vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj vlerave demokratike dhe euroatlantike, duke riafirmuar rolin e saj në skenën ndërkombëtare.
“Kosova e sotme është Evropë, për nga veprimi, përkushtimi dhe në orientimin e saj të pandryshuar drejt një të ardhmeje të përbashkët euroatlantike,” ka theksuar ministrja në postimin e saj.