Nismës Socialdemokrate i bashkohet Forumi i Intelektualëve

by engel

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se Forumi i Intelektualëve i është bashkuar partisë së tij. Ky aderim u zyrtarizua sot, më 22 maj 2025, duke shënuar një zhvillim të ri në rritjen dhe konsolidimin e subjektit politik.

Limaj e ka cilësuar këtë bashkim si një hap të rëndësishëm, duke theksuar rolin e intelektualëve, profesorëve dhe ekspertëve që kanë dhënë kontribut për Kosovën.

banner

“Nga sot e tutje, Nismës i bashkohet Forumi i Intelektualëve, organizim politik që ka marrë pjesë në zgjedhje. Gra e burra, profesorë e profesoresha që kanë dhënë kontribut për Kosovën.”

Kuvendi zgjedhor i Nismës
Limaj njoftoi gjithashtu se të dielën, më 26 maj 2025, Nisma Socialdemokrate do të mbajë Kuvendin e saj zgjedhor, një ngjarje që do të formalizojë aderimet e reja dhe do të konsolidojë vizionin e partisë.

Ndërkohë, Artan Nimani, përfaqësues i Forumit të Intelektualëve, ka theksuar se bashkimi i tyre me Nismën është rezultat i një bashkëpunimi disadekadash, i cili është reflektuar edhe në zgjedhjet e fundit.

“Bashkimi ynë i sotëm është në vazhdën e bashkëpunimit me dekada, e që u kurorëzua me sukses në zgjedhjet e fundit ku ishim në listë të përbashkët. Më e mira është që ne, si intelektualë, nuk kemi zgjedhur një subjekt për pozicione të caktuara, por një subjekt që është në ndërtim dhe ku strategjia jonë do të bëhet pjesë programore e shtëpisë sonë të përbashkët.”

Situata politike dhe konstituimi i Kuvendit
Gjatë fjalës së tij, Limaj ka komentuar edhe ngërçin politik në Kosovë, duke theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve. Ai ka apeluar që tri partitë kryesore të dalura nga zgjedhjet të marrin përgjegjësinë e tyre për të zgjidhur këtë krizë.

Nesër, më 23 maj 2025, do të zhvillohet seanca e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje mes partive politike për të dalë nga situata e krijuar.

Limaj nuk ka komentuar në lidhje me deklaratën e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbi mundësinë e një koalicioni politik mes subjekteve kryesore.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy