Në Seminarin për Trashëgiminë e Martti Ahtisaarit, të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, mbajti një fjalim kushtuar rolit të Presidentit Ahtisaari në procesin e paqes në Kosovë dhe rëndësisë së parimeve të tij në kontekstin aktual ndërkombëtar të konflikteve.
“Në ndërgjegjen kolektive të popullit të Kosovës, emri i Presidentit Martti Ahtisaari është përgjithmonë i gdhendur si një nga miqtë më të mëdhenj të popullit të Kosovës”, tha Osmani, duke vlerësuar kontributin historik të Ahtisaarit për shtetndërtimin dhe paqen në rajon.
Ajo kujtoi se rrënjët e këtij progresi shtrihen në Planin e Ahtisaarit, të cilin e përshkroi si një dokument vizionar që përmban parimet e sovranitetit, përfshirjes multietnike dhe qeverisjes demokratike.
“Kosova e sodit, është Kosova për të cilën ai do të ndjehej krenar, shpresoj. Një trashëgimi që ia vlen të ruhet dhe një testament që duhet të përqafohet nga gjeneratat e ardhshme. Dhe rrënjët e asaj që përfaqësojmë sot shtrihen tek Plani i Ahtisaarit, një propozim gjithëpërfshirës dhe me vizion përpara, ndonëse me shumë kompromis. Por ai vuri themelet për Kosovën që njohim sot. I hartuar me kujdes përmes viteve të negociatave të vështira, plani përshkruante parimet e sovranitetit, përfshirjes multietnike dhe qeverisjes demokratike – tre shtylla të rëndësishme që edhe sot vazhdojnë të lulëzojnë”, tha ajo.
Ajo theksoi se ky plan ishte një vizion që solli paqen në një rajon.
“Dhe në fund, ai u bë plani udhëzues për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, duke përshkruar rrugën tonë drejt ndërtimit të një shteti sovran, demokratik dhe të njohur ndërkombëtarisht. Plani i Ahtisaarit ishte më shumë se një dokument politik. Ai ishte një vizion, një vizion për paqe të qëndrueshme e dinjitet. Një vizion që solli paqen në një rajon që ishte plagosur nga lufta për aq kohë sa mund të kujtojmë. Por paqja në këtë rajon jeton vetëm gjatë 25 viteve të fundit, kur morëm mbështetjen e miqve tanë, përfshirë edhe Presidentin Ahtisaari”, tha ajo.
Janne Taalas, udhëheqës i Iniciativës për Menaxhimin e Krizave – Fondacioni i Paqes “Martti Ahtisaari” theksoi rëndësinë që presidenti finlandez i kushtonte bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut të hapur.
Duke e cituar Ahtisaarin, Taalas kujtoi një nga thëniet më të njohura të tij “Nuk mund të bësh asgjë dreqin vetëm”, duke theksuar se ndërtimi i paqes është “kolektiv nga natyra” dhe se zgjidhjet e qëndrueshme “vijnë nga partneritetet”, qofshin ato në kuadër të Kombeve të Bashkuara, organizatave rajonale apo aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.
“Siç ka thënë dikur: “OKB-ja është vetëm aq efektive sa është mbështetja që merr”. Forcimi i OKB-së duhet të jetë detyrë e të gjithë anëtarëve të saj. Ahtisaari këmbëngulte që të gjitha faktorët përkatës të silleshin në tryezë, pa marrë parasysh sa kompleksë apo të pakëndshëm mund të ishin. Fakti është se marrëveshjet elitare mund të jenë të leverdishme në afat të shkurtër, por rrallëherë zgjasin, ashtu siç kemi parë, për shembull, në Libi. Dhe e treta, dhe citoj drejtpërdrejt Presidentin Ahtisaari: “Nuk mund të bësh asgjë dreqin vetëm”. Kjo ishte ajo që ai e thoshte shpesh. Ka të bëjë me ekipin. Ndërtimi i paqes është kolektiv nga natyra. Kudo – përmes Kombeve të Bashkuara, organizatave rajonale apo aktorëve të tjerë – zgjidhjet e qëndrueshme vijnë nga partneritetet”.
“Presidenti Ahtisaari besonte thellësisht në sistemin multilateral, jo përkundër të metave të tij, por sepse ai e kuptonte potencialin e tij unik. Presidentit Ahtisaari, në mes të një polarizimi në rritje, hapësire diplomatike në tkurrje dhe mosbesimi në rritje ndaj institucioneve multilaterale, parimet e Ahtisaarit ofrojnë drejtim”, tha ai. /EO