Zbulim i rrallë në Ballsh: 47 monedha bizantine të shekullit XIII në Manastirin e Shën Mërisë

by engel

Një thesar i vërtetë historik është zbuluar në zemër të Ballshit. 47 monedha bizantine, të datuara në shekullin e XIII, janë gjetur në ambientet e Manastirit të Shën Mërisë, duke hedhur dritë të re mbi të kaluarën mesjetare të këtij vendbanimi të lashtë dhe rëndësinë e tij në kohët perandorake.

Zbulimi, i cilësuar nga arkeologët si një ndër më të rëndësishmit e viteve të fundit, përfshin monedha prej bakri, disa prej të cilave janë restauruar tashmë, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në proces restaurimi.

banner

“Ky zbulim është një thesar jo vetëm në aspektin arkeologjik, por edhe historik. Na ndihmon të rindërtojmë historinë e manastirit dhe të kuptojmë ndikimet që ka pësuar, sidomos nga ngjarje si zjarri i madh që ka ndodhur aty. Monedhat i përkasin perandorëve bizantinë Teodor dhe Emanuel,” tha arkeologu Elio Hobdari, një nga drejtuesit e gërmimeve.

Monedhat zbulojnë imazhe të detajuara të perandorëve dhe shenjtorëve, duke ofruar jo vetëm vlera estetike por edhe dokumentare për periudhën. Ato shërbejnë si dëshmi të politikës monetare të kohës, ndërsa për specialistët janë një dritare drejt ekonomisë, besimit dhe pushtetit në Mesjetën e vonë.

Procesi i restaurimit ka qenë i ndërlikuar dhe kërkues. Restauratori Frederik Stamati tregon se në fillim, sipërfaqja e monedhave ishte e mbuluar me shtresa të errëta dhe dëmtime të rënda që pengonin identifikimin e tyre.

“Para ndërhyrjes nuk shihej asgjë. Çdo detaj ishte i fshehur. U bë një pastrim mekanik i kujdesshëm, pa përdorur forca të panevojshme që mund të dëmtonin metalin. Pasi u pastruan, u bë e mundur të identifikoheshin figurat, të cilat na treguan përbërjen dhe dëshmuan se kanë qenë të ekspozuara ndaj temperaturave mbi 800 gradë, një provë e qartë për praninë e një zjarri të fortë,” u shpreh Stamati.

Zbulimi i këtyre monedhave jo vetëm që pasuron fondin arkeologjik të Shqipërisë, por rrit edhe interesin për historinë e Ballshit dhe të Manastirit të Shën Mërisë, një vendbanim që duket se ka pasur një rol të rëndësishëm fetar dhe ekonomik në rajon gjatë periudhës bizantine./TVKlan

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy