Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka deklaruar se vazhdimi i mos konstituimit të Kuvendit, është si pasojë e mungesës së konstruktivitetit të partive opozitare. Ai beson se shumë shpejt do të votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, sikurse edhe Qeveria Kurti 3.
Kërçeli thotë se votat për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare të Kuvendit, do të bëhen me NISMËN Socialdemokrate, pasi që sipas tij është afër një marrëveshje mes NISMËS dhe LVV-së.
“Mendoj që është një mungesë e konstruktivitetit të partive opozitare të cilat po refuzojnë të konstituojnë Kuvendin dhe te votojnë kandidaten e propozuar nga LVV për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Votat për Albulena Haxhiu besoj që do të bëhen me NISMËN Socialdemokrate, sepse tashmë janë afër për një marrëveshje dhe mendoj që do të krijohet Qeveria”, ka deklaruar Kërçeli për tëvë1.
Sa i përket partive opozitare, deputeti i LVV thotë se po iu frikësohen zgjedhjeve të parakohshme.
Madje ai u shpreh se disa nga partitë opozitare kanë deklaruar se do të jenë të gatshëm ta votojnë Qeverinë Kurti 3.
“Po iu frikësohen zgjedhjeve të parakohshme, sepse nëse kalon afati ne do të shkojmë në zgjedhje dhe po iu konvenon ky ngërçi që është duke ndodhur në Kuvend. Ka deputetë që janë deklaruar se pasi që ta kalojmë këtë votimin e Haxhiut janë të gatshëm ta votojnë Qeverinë Kurti. Ka deputetë nga partitë e ndryshme të opozitës. Ajo do të shihet shumë shpejt, sepse do të vijnë ato vota. Ne jemi të gatshëm që Lista Serbe ta lirojë sallën atë ditë kur të votohet në votim të fshehtë. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë edhe këtë thirrje”, tha ai.