Analfabetizmi funksional, sfidë alarmuese në arsim

by informim peje

Edhe pse përfshirja në arsimin e obliguar është rritur ndjeshëm, një pjesë e madhe e të rinjve në Kosovë e përfundon shkollimin pa zotëruar aftësitë bazë për të kuptuar, analizuar dhe përdorur njohuritë në jetën e përditshme.

Ky fenomen, i njohur si analfabetizëm funksional, po shihet si një nga sfidat më serioze për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit, raporton Ekonomia Online.

banner

Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, tha për EO se ky problem është veçanërisht shqetësues për gjeneratat që përfundojnë arsimin e obliguar, por mbeten të papërgatitura për jetën dhe tregun e punës. Ai e lidhi numrin e analfabetëve me mungesën e shkollimit të obliguar në të kaluarën.

“Kjo shifër e analfabetëve, sipas ASK-së, është e lidhur drejtpërdrejt me numrin e popullsisë që nuk kanë ndjekur shkollimin e obliguar. Ky numër po bartet nga viti në vit dhe pritet të ulet, pasi tani pjesëmarrja në arsimin e obliguar është shumë më e madhe se 40-50 vjet më parë, periudhë nga e cila vjen kjo statistikë e lartë. Megjithatë, përtej analfabetizmit tradicional të këtyre gjeneratave, problem më i madh mbetet analfabetizmi funksional i atyre që përfundojnë arsimin e obliguar, por u mungojnë aftësitë e nevojshme për jetë, punësim dhe karrierë,” tha ai.

Qehaja theksoi se përmirësimi i situatës nuk arrihet vetëm me statistika më të mira, por përmes thellimit të reformave në cilësinë e arsimit.

“Është domosdoshmëri të reduktojmë braktisjen e arsimit të obliguar, pasi edhe sot kemi statistika në rritje për braktisjen, veçanërisht tek grupet e margjinalizuara. Kjo duhet të jetë pikënisja jonë. Përveç kësaj, duhet rritur cilësia e mësimdhënies në mënyrë që të rinjtë të mos dalin vetëm me një diplomë, por me aftësi dhe shkathtësi të nevojshme për jetën,” shtoi ai.

Njohësi tjetër i arsimit, Argjend Osmani, theksoi se problemi nuk është vetëm mungesa e njohurive bazë si leximi dhe shkrimi, por edhe mungesa e aftësive për të kuptuar dhe përdorur ato njohuri.

Ai kërkoi investime serioze në sistemin arsimor.

“Analfabetizmi funksional ka pasoja afatgjata për shoqërinë dhe individët. Duhet të ndërmerren masa konkrete për të ngritur cilësinë e arsimit dhe për të zhvilluar te rinia të menduarit kritik dhe qasjen analitike. Sot, shumë prej tyre nuk janë në gjendje as të lexojnë apo të përdorin shkathtësitë e tyre analitike për të kuptuar apo krijuar diçka më të madhe. Ndërkohë që kombet tjera po investojnë shumë në arsim, ne vazhdojmë të kemi numër të konsiderueshëm analfabetësh, që tregon qasjen e gabuar institucionale në Kosovë. Arsimi duhet të marrë më shumë vëmendje dhe investim”, tha Osmani.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy