Maqedonia e Veriut mbetet në një udhëkryq për sa i përket aspiratave të saj drejt Bashkimit Evropian, pasi Bullgaria vijon të mbajë veton, duke bllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit. Megjithëse Shkupi shpreson të diskutojë çështjet penguese gjatë samitit të NATO-s në Hagë, më 24-25 qershor, me praninë e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe NATO-s, pozicioni i Sofjes duket i palëkundur.
Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005, por rruga drejt Brukselit ka qenë e mbushur me pengesa. Arsyeja kryesore e bllokadës bullgare është refuzimi i autoriteteve maqedonase për të përfshirë bullgarët si pakicë shtetformuese në kushtetutën e tyre. Për më tepër, marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar edhe për shkak se Bullgaria nuk e njeh gjuhën maqedonase si pjesë të historisë së saj, duke krijuar një tension të vazhdueshëm diplomatik.
Edhe vizita e fundit e shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, në Shkup, nuk arriti të sjellë ndonjë përparim të dukshëm. Ajo deklaroi se kishte diskutuar “mekanizma të mundshëm për zhbllokimin e marrëdhënieve me Bullgarinë”, por pa ofruar detaje konkrete, duke lënë të kuptohet se zgjidhja mbetet ende larg.
Në vitin 2022, Shkupi pranoi të ashtuquajturin “propozim francez”, i cili, ndër të tjera, përfshinte pikërisht përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Megjithatë, me rikthimin e VMRO-DPMNE-së në pushtet, shumica e re qeverisëse heziton ta votojë këtë ndryshim në parlament, duke thelluar më tej ngërçin.
Kjo situatë ka ndikuar negativisht edhe te fqinji i saj. Për vite me radhë, Maqedonia e Veriut mbajti peng edhe Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Megjithatë, Brukseli mori vendimin për të vijuar negociatat me vendin tonë, duke e lënë Shkupin në vendnumëro, me rrugën drejt BE-së të mbyllur për momentin. Mbetet të shihet nëse samiti i NATO-s do të sjellë ndonjë dinamikë të re në këtë çështje të ndërlikuar.