Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka vazhduar kritikat ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një institucion që ka prodhuar padrejtësinë më të madhe të shekullit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shpërndarë një video me ish-presidentin Hashim Thaçi, e realizuar në ditën e fundit të deklarimit të tij para Prokurorisë në Hagë.
“Kam dashur ta ruaj për ditën kur ai të shpallet i pafajshëm, por e publikova para disa vitesh”, ka shkruar Behrami, duke theksuar se “kurrë s’e kishte besuar që një proces gjyqësor me aq shumë përfaqësues ‘perëndimorë’ do të sillte një padrejtësi kaq të madhe”.
Sipas tij, Gjykata Speciale duhet të kthehet në një muze që dëshmon përndjekjen politike dhe rënien e vlerave të Perëndimit dhe të shoqërisë shqiptare.
“Megjithatë, dielli do të lindë përsëri. Shumë shpejt do të dalim nga ajo derë dhe do të rikthehemi me Presidentin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Gëzuar Ditën e Presidentit!”, ka përfunduar Behrami.