Interi ka mbyllur sezonin e Serie A me një fitore 2-0 ndaj Comos, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për shmangur zhgënjimin. Për të dytin vit radhazi, titulli kampion i shkon Napolit, duke lënë zikaltrit “duarbosh” në garën vendase, fat i cili nuk ishte në dorën e tyre nw xhiron e fundit.
Tashmë, skuadra e Simone Inzaghit duhet të kthejë menjëherë vështrimin nga objektivi i fundit dhe më prestigjioz i sezonit: finalja e Champions League. Kjo është shansi i fundit për të shpëtuar një sezon ku fillimisht u ëndërrua “tripletë”, por tani ekziston rreziku real për ta mbyllur me zero trofe.
Ndeshja ndaj Comos, pavarësisht rotacionit thuajse të plotë të bërë nga Inzaghi, u zgjidh pa shumë vështirësi. Ishte mbrojtësi Stefan De Vrij që kaloi Interin në avantazh me kokë në minutën e 21-të. Gjërat u lehtësuan akoma më shumë në fundin e pjesës së parë, kur portieri i Comos, Reina, u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën kundërshtare me 10 lojtarë.
Në fillim të pjesës së dytë, Joaquín Correa shënoi golin e dytë për Interin. Megjithatë, pikërisht në të njëjtën kohë, Napoli realizoi gjithashtu, duke bërë që ky sukses i Interit të ishte i pavlerë në garën për titull. Zikaltrit e mbyllin sezonin e rregullt në vendin e dytë.
Trishtimi ishte i dukshëm në sytë e të gjithë lojtarëve pas ndeshjes. Megjithatë, tashmë nuk ka kohë për të vajtuar, pasi e gjithë energjia dhe përqendrimi duhet të shkojnë drejt përgatitjes për ndeshjen e madhe kundër PSG-së më 31 maj në Mynih.
Edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani, i cili zhvilloi 90 minuta të plota në këtë takim, pranoi zhgënjimin, por theksoi rëndësinë e sfidës së ardhshme: “Sigurisht që ky fund na lë një shije të hidhur, por tani kemi përpara ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Duhet ta përgatisim mirë dhe të shkojmë atje për të fituar.”
Asllani shtoi më tej: “Champions është kupa më e rëndësishme nga të gjitha, duhet të mendojmë se si të kthehemi nga Mynihu të gëzuar, jo të trishtuar si sot. Si mund ta përshkruaj këtë sezon? Unë mendoj pozitiv.” Fjalët e tij pasqyrojnë shpresën e fundit të Interit për të shpëtuar sezonin dhe për të shkruar historinë në skenën më të madhe të futbollit evropian.