Në ditën e dytë të vizitës së saj në Kosovë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, është përballur me një reagim institucional nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së), e cila i ka drejtuar asaj një letër të hapur, duke ngritur shqetësime të thella për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në këtë letër, e cila është shpërndarë edhe në adresë të disa prej institucioneve dhe personaliteteve më me ndikim ndërkombëtar, OVL e UÇK-së ka artikuluar qartë shqetësimet lidhur me trajtimin që po iu bëhet bashkëluftëtarëve të tyre. Ata kanë theksuar nevojën për drejtësi të barabartë, respekt dhe përputhshmëri me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën e trajtimit të bashkëluftëtarëve tanë nga Dhomat e Specializuara. Drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe nuk guxon të shndërrohet në mjet politik apo hakmarrës”, thuhet në letrën e OVL-së.
Letra është dërguar jo vetëm te Kaja Kallas, por edhe te:
Agnès Callamard, Sekretare e Përgjithshme e Amnesty International,
Tirana Hassan, Drejtoreshë Ekzekutive e Human Rights Watch,
Teresa Anjinho, Avokatja e Popullit të BE-së,
Ambasador Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë,
Eliot Engel, Ish-Kongresmen i SHBA-së,
Ritchie Torres, Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së,
Lukas Mandl dhe Thijs Reuten, Deputetë në Parlamentin Evropian,
Si dhe figura të tjera me ndikim ndërkombëtar.
OVL e UÇK-së kërkon që shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe që të rishqyrtohet qasja ndaj luftëtarëve të UÇK-së në procesin që po zhvillohet në Hagë. Ata theksojnë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe për çlirim, dhe se nuk duhet të barazohet me krime lufte.
Vizita e Kallasit në Kosovë, e para në cilësinë e saj të re si përfaqësuese e lartë e BE-së, po zhvillohet në një kontekst të ndjeshëm politik dhe juridik për vendin, me procesin në Hagë që vazhdon të jetë në fokus të debatit publik dhe politik në Kosovë.
Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar për një reflektim më të thellë mbi zhvillimet në Dhomat e Specializuara.