Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona, të dyshuar për kryerjen e një grabitjeje në një pompë të derivateve në Pejë, e cila ndodhi ditë më parë.
Prokurori i rastit, Ersan Qavolli, ka dhënë detaje për mediat lidhur me hetimet dhe arrestimet.
“Pas një pune shumë të mirë hetimore në mes të policisë dhe prokurorisë kemi arritur që t’i identifikojmë dhe ndalojmë katër persona në lidhje me veprën penale ‘Grabitje’,” tha ai.
Në lidhje me rastin janë sekuestruar një veturë dhe një armë, të cilat do të shërbejnë si prova në hetime.
Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 23:36 në rrugën e KFOR-it në Pejë, ku dy persona të armatosur kishin ndaluar në pompën e derivateve dhe kishin kërkuar nga punonjësi të dorëzonte pazarinë. Sipas viktimës, grabitësit morën rreth 900 euro dhe u larguan me veturë në një drejtim të panjohur.
Policia dhe prokuroria vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e drejtësisë.