Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar sërish lidhur me incidentet e shënuara gjatë manifestimit të maturantëve në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës. Festimet e maturantëve serbë u shoqëruan me disa provokime, të cilat u parandaluan menjëherë nga Policia e Kosovës.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se kërkesa e zyrtarëve policorë për të shmangur provokimet po keqinterpretohet si dhunë nga ana e propagandës serbe. Ai ka kritikuar mënyrën sesi për një veprim të një polici, i cili shihet duke i kërkuar një të riu të mos provokojë, po prezantohet si “ngulfatje”.
“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngulfatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë nga e re nga ta,” ka shkruar Sveçla.
Ai shtoi se kjo propagandë synon të ndikojë tek “të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi”, duke minimizuar seriozitetin e provokimeve dhe duke paraqitur veprimet parandaluese të Policisë së Kosovës në një dritë të shtrembëruar. Qëllimi i qartë i reagimit të Sveçlës është të demontojë narrativën e rreme dhe të theksojë përpjekjet e Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike.