​FSK me afër 1 mijë trupa në ushtrimin më të madh ndërkombëtar

by Nexhat

Kosova për herë të tretë që nga 2021, është nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025]. Në këtë ushtrim i cili është më i madhi ushtarak shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Kosova përveçse si mikpritëse do të marrë pjesë edhe me afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

banner

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025”, tregon besimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndaj Republikës së Kosovës.

Maqedonci për KosovaPress tha se ushtrimi “Defender Europe 2025”, këtë vit është edhe më i rëndësishëm, pasi për herë të parë në aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda taktike e divizionit të tetë të kombësotisë, nga e cila komandë do të komandohen të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit.

“Ushtrimi Defender Europe 2025 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm për faktin se vendi ynë do të jetë vend pjesëmarrës me trupat ushtarake të FSK-së në këtë ushtrim, jo vetëm për faktin që ne do të jemi mes 18 vendeve nikoqire të këtij ushtrimi, por edhe për faktin se këtë herë për herë të parë ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë ka besuar në shtetin e Kosovës, në institucionet tona, në ushtrinë e Kosovës që të vendos në Kosovë, në aeroportin e Gjakovës komandën taktike të divizionit të tetë të kombësotisë, komandë e cila do të komandojë me të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit… Ushtrimi Defender Europe 2025 është ushtrimi më i madh nga ushtria e SHBA-ve në kontinentin e Evropës këtë vit, marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende të NATO-s dhe vende partnere në tri zona të ushtrimeve”, tha ai.

Maqedonci tha se në ushtrimin më të madh ushtarak “Defender Europe 2025”, po marrin pjesë afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova me FSK do të marrë pjesë në këtë ushtrim afërsisht me një numër prej 1 mijë pjesëtarësh të cilët përveç në Kosovë – që do të jetë numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndjekin pjesën e ushtrimit – do të dislokohen dhe tashmë është dislokuar edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. E gjitha tregon për besimin që SHBA-të kanë në Republikën e Kosovës dhe në aftësinë e institucioneve tona për të mikpritur një ushtrim të përmasave të tilla”, tha ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ushtrimit “Defender Europe 2025” do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Ky ushtrim në Kosovë do të ndodhë nga 26 maj deri më 9 qershor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy