Drama e madhe bardhezi: Juventus përmbys gjithçka dhe fluturon drejt Champions-it, e ardhmja e Tudor në dyshim

by informim peje

Sezoni 2024/25 për Juventusin nisi me ambicie të mëdha, një trajner i ri si Thiago Motta, investime të konsiderueshme në merkato dhe një objektiv të qartë: rikthimin në elitën evropiane. Por realiteti në fushë ishte shumë larg pritshmërive.

Rezultatet zhgënjyese detyruan drejtuesit të ndërprisnin bashkëpunimin me Mottën dhe t’ia besonin stolin Igor Tudor, me shpresën për të shpëtuar çfarë kishte mbetur nga sezoni.

banner

Dhe pikërisht këtë bëri “Zonja e Vjetër” — e shpëtoi sezonin në frymën e fundit. Me një fitore dramatike 3-2 ndaj Venezias, Juventus arriti ta mbyllë kampionatin në vendin e katërt, duke siguruar një biletë të çmuar për në Champions League.

Ndeshja ndaj Venezias ishte një përmbledhje e të gjithë sezonit të Juventusit: ndërlikime, rikthime dhe tension deri në sekondat e fundit. Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e 2-të me golin e Filas. Reagimi i Juves nuk mungoi, me një super gol të Costas që u anulua nga VAR për prekje me dorë. Megjithatë, bardhezinjtë nuk u dorëzuan. Yldiz barazoi në minutën e 25-të, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë, Kolo Muani përmbysi gjithçka me një goditje të fuqishme brenda zonës.

Por Venezia, në luftë për mbijetesë, nuk e dorëzoi ndeshjen. Në minutën e 55-të, Haps riktheu baraspeshën, duke shtuar tensionin për Juventusin. Fati i sezonit u vulos në minutën e 73-të, kur Conceicao fitoi një penallti dhe Locatelli realizoi saktë nga pika e bardhë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-2.

Në minutat e fundit, portieri Di Gregorio u kthye në hero duke ndalur çdo përpjekje të Venezias dhe duke garantuar fitoren e shumëpritur për bardhezinjtë.

Media italiane reagoi menjëherë:
“Në Champions, një Juve e çmendur”, titullon TuttoSport, ndërsa La Gazzetta dello Sport shkruan: “Juve shkon në Champions, tani Conte?” — duke lënë të hapur diskutimin për trajnerin e ardhshëm.

Tudor, i cili arriti objektivin e Champions-it, u shfaq i paqartë për të ardhmen e tij:

“Nuk e di ende çfarë do të ndodhë, por do të mësohet përpara Botërorit për Klube. Jam i lumtur këtu, por jeta e një trajneri është gjithmonë në dyshim.”

E ardhmja e Juventusit mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt: sezoni i trazuar u mbyll me një buzëqeshje dhe një rikthim në skenën më të madhe të futbollit evropian.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy