Krizë institucionale në Kosovë: Përgjegjësia më e madhe bie mbi LVV-në

by engel

Përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi këtë të diel, duke thelluar krizën institucionale në vend. Albulena Haxhiu, kandidatja e propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk arriti të sigurojë besimin e shumicës së deputetëve. Ky dështim i përsëritur ka ngjallur shqetësim të madh për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve.

Azem Vllasi, njohës i çështjeve politike, e ka cilësuar situatën si “hajgare me popullin dhe shtetin me pasoja të rënda”. Sipas tij, bllokada aktuale është pasojë e “kokëfortësisë dhe inateve të dyja formacioneve parlamentare”, por thekson se përgjegjësia më e madhe bie mbi LVV-në, si partia me të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar.

banner

Pasojat e dështimit
Vllasi paralajmëron se pasojat e kësaj gjendjeje do të jenë të mëdha, si në jetën e brendshme ashtu edhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Ai shprehet se është e pakuptueshme pse LVV-ja vazhdon të insistojë në një kandidate që nuk po merr votat e nevojshme.

“Nuk është fare e qartë pse LVV-ja insiston në kandidaten që nuk po i merr votat. Nëse deputetët e partive të tjera janë deklaruar se një kandidat tjetër do ta votonin, atëherë është e pakuptueshme pse insistohet në këtë që nuk ka shans të kalojë,” theksoi Vllasi për IndeksOnline.

Ai sugjeroi se zgjedhja e një kandidati tjetër, si Glauk Konjufca, i cili ka udhëhequr Kuvendin me sukses në mandatin e kaluar, apo Mimoza Kusari, do të ishte një rrugëzgjidhje.

Propozimi për qytetarët
I frustruar me situatën, Vllasi shkoi edhe më tej, duke propozuar një formë presioni qytetar. “Pata propozuar që qytetarët-votuesit në masë t’i bllokojnë të dyja hyrjet e Kuvendit, kuptohet, në mënyrë paqësore, dhe mos t’i lejojnë të dalin nga aty derisa ta zgjedhin Kryetarin. Po ashtu, me një afatat të caktuar edhe deri të zgjedhet Qeveria. Por, nëse vazhdojnë kështu, kjo do të ndodhë,” shtoi ai.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë të martën, më 27 maj, me shpresën se partitë politike do të arrijnë një marrëveshje për të kapërcyer këtë ngërç institucional. Dështimi i vazhdueshëm për të konstituuar Kuvendin jo vetëm që pengon funksionimin normal të shtetit, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve te institucionet demokratike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy