(Fotografia nga arkivi)
Nuk kalon viti pa u mbyllur dhjetëra qendra masazhi në Kosovë.
Megjithatë, kjo veprimtari u mbijetoi aksioneve të shumta policore dhe vazhdoni lulëzimin në lagjen “Dradagon” të Prishtinës.
Në çdo anë të kësaj rruge, syri të zë qendra masazhi të cilat punën e nisin nga ora 4 e pasdites.
E lokalet simotrat të tyre i gjen në të gjithë Kosovën, ku po vazhdojnë të hapen qendra të reja çdo ditë.
Një kamuflim të ngjashëm me atë që ua bëjnë xhamave të tyre, pronarët e këtyre qendrave të masazhit, e bëjnë edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
Kiksi ka zbuluar që shumica e këtyre bizneseve figurojnë me emra të ndryshëm në ARBK.
Madje, edhe veprimtaria të cilën e kryejnë nuk është e saktë. Në këtë agjenci, qendrat e masazhit janë regjistruar si qendra të bukurisë dhe trajtimit të trupit.
Pavarësisht se Kiks Kosova ka raportuar disa herë për qendrat e masazhit, duke u paraqitur organeve të drejtësisë fakte që dëshmojnë për veprimtari të paligjshme që zhvillohen aty, dhe ndonëse qendra si “Sky Massage” në Dragodan dhe “Magic Spa” po ashtu në të njëjtën lagje, punonin me emra të rremë dhe punëtorë të paregjistruar –madje edhe nën moshë, këto të fundit vazhdojnë të funksionojnë lirshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2019 deri në vitin 2022, janë legjitimuar gjithsej 512 persona gjatë inspektimeve në sallonet e masazhit.
Por, inspektimi nuk u mbyll me kaq. Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët gjatë vitit të kaluar, zhvilluan aksione në gjithsej 110 qendra masazhi.
E kjo veprimtari nuk u izolua vetëm në kryeqytet. Biznese të tilla po zhvilloheshin edhe në Ferizaj. Por, ndryshe nga Prishtina, në Ferizaj, në vitin 2019, Policia mbylli edhe ato dy të fundit që kishin mbetur.
E devijimi nga veprimtaria për të cilën u nisën, u bë shkas që qendrat e masazhit të mbyllen edhe në qytetet e tjera të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 2023-ës, Policia e Kosovës ua vendosi drynin edhe 17 qendrave të masazhit.
Terezia masazhave iu prish edhe në fundvit. Në dhjetorin e 2024-ës, Ministria e Industrisë, në kuadër të të cilës është Inspektorati i Tregut, mbylli 34 qendra të masazhit dhe klube nate.
Nga ky aksion, rezultuan 28 persona të dyshuar.
Megjithatë, pavarësisht bujës së madh të këtij aksioni, shumica e qendrave të masazhit që u mbyllën atë natë, u hapën sërish.
Kiks Kosova ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, për të kuptuar nëse kanë nisur hetimet lidhur me rastet për të cilat ka raportuar Kiksi dhe shkeljet të cilat i ka dokumentuar, mirëpo nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje