Pesë ditë para hyrjes në fuqi të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për ndikimet potencialisht të dëmshme që kjo masë mund të ketë për ekonominë, bizneset dhe punësimin në vend.
Në një komunikatë për media, Oda thekson se përkundër faktit që liberalizimi në parim është një objektiv i mirëpritur, “suksesi i tij cenohet nga mungesa e kushteve reale të tregut.” Sipas saj, aktualisht vetëm një furnizues është plotësisht funksional, gjë që i lë bizneset pa mundësi zgjedhjeje dhe i ekspozon ato ndaj rritjeve të mëdha të çmimit të energjisë.
“Ky nuk është një treg konkurrues, por është një tranzicion i parakohshëm që imponon një shok të menjëhershëm financiar për bizneset që edhe ashtu përballen me presione më të gjera ekonomike,” thuhet në njoftim.
Oda Amerikane paralajmëron se rritja e çmimeve të energjisë elektrike me mbi 200% do të godasë veçanërisht industritë me konsum të lartë energjie, duke vënë në rrezik mijëra vende pune dhe duke cenuar shtyllën kurrizore të ekonomisë prodhuese të vendit.
Gjithashtu, theksohet se liberalizimi po ndodh në një kontekst jo të favorshëm energjetik, pasi Kosova është plotësisht e varur nga energjia elektrike dhe nuk ka akses në burime alternative si gazi natyror. “Mjedisi energjetik i vendit kërkon një qasje të kujdesshme në disa faza, e jo një liberalizim për të cilin është dhënë njoftim prej vetëm tre muajsh dhe pa mbështetje kalimtare,” thuhet në deklaratë.
Oda Amerikane ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e një Kuvendi funksional, duke theksuar se kjo situatë “dëmton më tej llogaridhënien institucionale dhe ngre shqetësime serioze në lidhje me legjitimitetin e zbatimit të një ndryshimi kaq të madh e pa mbikëqyrje përkatëse.”
Në fund, Oda i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të shtyjë afatin e 1 qershorit dhe të shfrytëzojë këtë kohë për krijimin e kushteve të nevojshme rregullative dhe teknike për një treg energjetik vërtet konkurrues. Sipas saj, “pa këto aspekte, liberalizimi rrezikon të shkaktojë dëme afatgjata në ekonominë, klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës.”