Kurti Ngulë Këmbë për Albulenen dhe Votimin e Fshehtë, Opozita Fajëson LVV-në për Bllokadë

by engel

Nga redaksia

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të vazhdojë të propozojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit deri në zgjedhjen e saj, duke fajësuar partitë e tjera politike për zvarritjet dhe bllokadën aktuale. Sipas Kurtit, zgjidhja e ngërçit qëndron te votimi i fshehtë.

banner

“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. Dhe përgjigjja është votimi i fshehtë, për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin,” theksoi Kurti.

Ndërkohë, përderisa sot shënohet përpjekja e 22-të e LVV-së për konstituimin e Kuvendit, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, ka konfirmuar se partia e tij ka kontaktuar deputetë të partive të tjera, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime. “LVV-ja po bën përpjekje të vazhdueshme për ta konstituar Kuvendin. Deputetët nuk janë pronë e askujt dhe është e drejtë demokratike që të kontaktohen,” deklaroi Abrashi për RTV21.

Këto përpjekje të LVV-së për të krijuar një shumicë parlamentare të vetme dhe “joshur” deputetë janë denoncuar nga opozita. Deputetja Duda Bale dhe më pas AAK, si dhe LDK, akuzuan LVV-në se nga njëra anë fton për koalicion, ndërsa nga ana tjetër tenton t’ua “marrë deputetët me transaksione të ndryshme”. PDK-ja, ndërkohë, as nuk e ka mohuar e as pohuar kontaktet me deputetët e saj.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Naim Ismajli, theksoi se partia e tij vazhdon të jetë kundër votimit të fshehtë dhe kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit. Megjithatë, Abrashi nuk mohoi kontaktet me deputetë të PDK-së dhe foli edhe për mundësinë e një koalicioni LVV-PDK, duke shtuar: “Ne kemi një hendek të madh me PDK-në. Preferojmë një koalicion me LDK-në. Mendimi im është që PDK duhet të reflektojë dhe ia lëmë kohës….”

Njohësi i rrethanave politike, Shemsi Jashari, thekson se fajtori kryesor për zvarritjen e formimit të institucioneve është kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, sipas tij, vonesat dhe ngërçi i krijuar mund të kenë edhe një qëllim tjetër të fshehtë. “Se si do të përfundojë kjo situatë aq e pakëndshme është e paqartë, meqenëse secili opsion është i mundshëm të bëhet në mënyrë që të arsyetohet një koalicion i befasishëm për qytetarët,” deklaroi Jashari për RTV21.

Edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka folur ditë më parë për një marrëveshje politike me LVV-në, pa dhënë shumë detaje. Deri më tani, zyra e Presidentes Osmani nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me rolin e saj në zhbllokimin e situatës.

Me 21 dështime të shkuara pas krahëve, a do të shënojë dita e 22-të një kthesë, apo do të vazhdojë odiseja politike e Kosovës?

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy