Trajneri i Fenerbahce, Jose Mourinho, ka reaguar me tone thumbuese pas humbjes befasuese të skuadrës së tij ndaj Hatayspor, një ekip tashmë i rënë nga elita e futbollit turk.
Në konferencën për media, portugezi nuk ka kursyer krahasimet dhe ironinë ndaj historisë së futbollit turk në kompeticionet evropiane.
“Në shtatë vitet e fundit kam luajtur dy finale evropiane”, është shprehur “Special One”. “Pra, në shtatë vitet e fundit unë kam luajtur më shumë finale evropiane se i gjithë futbolli turk në historinë e tij”.
Deklarata e Mourinho vjen në një moment zhgënjyes për Fenerbahce, e cila tashmë e sheh veten në vendin e dytë të Superligës turke me 81 pikë, nëntë më pak se Galatasaray që ka siguruar matematikisht titullin kampion me 92 pikë.
Portugezi ka arsyetuar fundin e sezonit për skuadrën e tij, duke kritikuar ata që vënë në dyshim angazhimin e lojtarëve në ndeshjet e fundit. “Vetëm ata që nuk kuptojnë futbollin na kritikojnë për fundin e sezonit. Fundi është i dhimbshëm për skuadrat që nuk kanë një objektiv. Për ata që luftojnë për tituj apo mbijetesë, motivimi është i përditshëm. Për ata që humbin objektivat, është e dhimbshme”, ka shtuar Mourinho
E vetmja skuadër turke që ka arritur të fitojë një trofe evropian është Galatasaray, në vitin 2000, kur kishte triumfuar në finalen e Kupës së UEFA ndaj Arsenal.