Në Prokurorinë Speciale ka nisur intervistimi edhe ndaj Kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Kjo është konfirmuar për media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ky intervistim ndaj Hoxhës, vie pas bastisjes që është kryer në këtë institucion lidhur me kontratën për fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Aksioni i Policisë së Kosovës nisi mëngjesin e së martës, ku bastisje u kryen në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës.
Lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore po vazhdon qe katër orë edhe intervistimi i Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.
Nga Ministria që ai drejton kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë.