Rusia e akuzon Ukrainën për pengim të bisedimeve për paqe

by informim peje

Rusia tha më 27 maj se sulmet ajrore të kryera ditëve të fundit ndaj Ukrainës ishin “përgjigje” ndaj përshkallëzimit të sulmeve ukrainase me dronë ndaj civilëve rusë, duke e akuzuar Kievin se po tenton të “pengojë” përpjekjet për paqe.

Moska ka kryer qindra sulme me dronë në Ukrainë nga mbrëmja e së premtes deri mëngjesin e së hënës, duke vrarë dhjetëra persona.

banner

Presidenti amerikan, Donald Trump, që po teton të ndërmjetësojë përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës, të nisur tre vjet më parë, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, “është çmendur” dhe e ka kërcënuar Rusinë me sanksione për shkak të sulmeve.

Javëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhe zyrtarët rusë dhe ukrainas më herët gjatë këtij muaji kanë mbajtur bisedime direkte për herë të parë që kur ka nisur lufta, por Kremlini nuk ka shfaqur shenja se do të tërhiqet nga kërkesat e tij maksimaliste.

“Kievi, me mbështetjen e disa shteteve evropiane, ka ndërmarrë një sërë hapash provokues për të penguar negociatat e nisura nga Rusia”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate.

Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse ka shkatërruar 2.331 dronë ukrainas nga 20 deri më 27 maj, duke pretenduar se mbi gjysma e tyre u penguan në zonat jashtë fushëbetejës.

“Civilët, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë plagosur”, u tha në deklaratë, ku u shtua se sulmet e fundit ruse në Ukrainë ishin “përgjigje” e drejtpërdrejtë e sulmeve ukrainase.

Moska tha se ka goditur vetëm “caqe civile” në Ukrainë, por Kievi ka thënë se të paktën 13 civilë janë vrarë nga sulmet ruse të dielën.

Kievi e ka akuzuar Rusinë se po tenton të shmangë përgjegjësinë për vrasjet.

“Duhet t’i japim fund kësaj pritjeje të pafund – Rusisë duhet t’i vendosen më shumë sanksione”, tha të martën në Telegram, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në shkurt të vitit 2022, deri më tani ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy