Serbia nuk e Konfirmon Fletarrestin Ndërkombëtar për Policin e Kosovës Dylot Ibrahimi

by engel

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk ka konfirmuar nëse do të kërkojë një fletarrest ndërkombëtar nga Interpol-i për policin e Kosovës, Dylot Brahimi. Kjo vjen pasi policia serbe lëshoi një urdhër kombëtar për arrestimin e tij pas një incidenti në Mitrovicën e Veriut gjatë një feste të maturantëve serbë.

Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd (BCBP) i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se urdhri i arrestit është një “akt politik dhe propagandistik.”

banner

“Qëllimi i tij është t’i dërgohet një mesazh opinionit serb se shteti i Serbisë dhe institucionet kujdesen kinse për sigurinë e serbëve në Kosovë,” deklaroi Petroviq. Ai shtoi se arrestimi i policit të Kosovës është “shumë, shumë joreal.”

Më 24 maj, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Brahimi do të arrestohej “kurdo që të jetë i qasshëm për autoritetet serbe, pa parashkrim.” Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi në televizionin Prva se urdhri për arrestim është i rëndësishëm si reagim institucional. “Në momentin që ai bëhet i qasshëm për autoritetet shtetërore të Serbisë, ai do të arrestohet,” tha Daçiq.

Sipas Petroviqit, në praktikë kjo do të thotë se zyrtari i Policisë së Kosovës mund të arrestohet vetëm nëse ndodhet në territorin e Serbisë – gjë që, sipas tij, është shumë pak e mundshme.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e cilësoi urdhrin për arrestim të lëshuar nga autoritetet serbe si pjesë e një “vazhde të përndjekjeve të policëve të Kosovës.”

“Kemi pasur raste që policë tanë janë arrestuar në Serbi. Ne i përgjigjemi vetëm gjykatave tona, por jo autoriteteve serbe,” tha Hoxha më 25 maj, gjatë një konference për media.

Ky nuk është incidenti i parë i tillë. Në prill 2024, autoritetet serbe ndaluan zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Jankoviq, bashkë me katër zyrtarë të tjerë policorë. Të nesërmen, ata u liruan, ndërsa autoritetet kosovare thanë se Jankoviq ishte akuzuar për “cenim të rendit kushtetues të Serbisë.”

Incidenti që shkaktoi urdhrin e arrestit ishte një pasojë e incidentit ku është përfshirë një grup maturantësh serbë që po festonin në Mitrovicën e Veriut. Video të qarkulluara në rrjetet sociale tregojnë një polic që ndalon njërin prej maturantëve pasi dyshohet se i kishte provokuar njerëzit që ishin ulur në një kafene aty pranë. Në video shihet polici duke i vendosur dorën në qafë maturantit, një gjest që shkaktoi zemërim dhe akuza për përdorim të tepruar të forcës. Dëshmitarët pretendojnë se i riu nuk kishte bërë asgjë, ndërsa të tjerë sugjerojnë se maturanti provokoi duke treguar gishtin e mesëm drejt kafenesë, nga ku dikush dyshohet se bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

Policia e Kosovës ka mohuar të ketë pasur dhunë gjatë ndërhyrjes së saj, por tha se ka nisur një hetim kundër një zyrtari të vet të përfshirë në incident. Drejtori Gazmend Hoxha tha në një konferencë për media të dielën se zyrtari policor do të hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe se, pas incidentit, ai është transferuar në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut nga Mitrovica e Veriut.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se policia ka vepruar në mënyrë profesionale për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, pasi disa maturantë kishin përdorur simbole nacionaliste dhe thirrje si “Kosova është zemra e Serbisë.”

Megjithatë, kreu i misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, dënoi përdorimin e tepruar të forcës nga ana e policisë. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, ka kërkuar hetim dhe ndëshkim për zyrtarët policorë që kanë tejkaluar kompetencat.

Kujtojmë se Policët nga komuniteti serb u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022, si pjesë e një largimi të organizuar. Në fillim ata u zëvendësuan kryesisht nga policë shqiptarë, ndërsa më vonë janë rekrutuar rreth 100 zyrtarë të rinj nga komuniteti serb dhe ai i pakicave të tjera./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy