Para fillimit të seancës së 22-të për konstituimin e Kuvendit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka hedhur sërish fajin mbi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për ngërçin politik në vend. Ai theksoi se LVV-ja, pavarësisht se kërkon fatin politik te LDK-ja, ajo vazhdon e flet për pushtetin me “egon e fituesit”.
Zemaj deklaroi prerë se fajtori kryesor i gjendjes së krijuar politike në vend është Lëvizja Vetëvendosje.
“LDK është i vetmi subjekt politik, parlamentar që ka dhënë qëndrim dhe ka dhënë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe për të mundësuar formimin e institucioneve të reja. Të tjerët më shumë kanë folur për dëshira ose koncepte që në fund të fundit vetëm kanë vazhduar ngërçin. Fajtori kryesor i kësaj gjendje është LVV sepse ajo i ka numrat më të mëdhenj të deputetëve,” tha ai para mediave.
Këto komente vijnë në një kohë kur presioni publik dhe ndërkombëtar po rritet për të gjetur një zgjidhje dhe për të konstituuar Kuvendin, duke i dhënë fund pasigurisë institucionale.