A mund të arrihet marrëveshja mes Britanisë dhe Kosovës për pranimin e emigrantëve?

by informim peje

Britania e Madhe pritet t’i kërkojë zyrtarisht Republikës së Kosovës që të pranojë migrantët që mbërrijnë ilegalisht në territorin britanik me varka të vogla, si pjesë e një plani për të ngritur “qendra kthimi” jashtë vendit.

Kosova gjendet në një listë të shkurtër prej nëntë shtetesh të përzgjedhura nga ministrat dhe zyrtarët britanikë si destinacione të mundshme për strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve të refuzuar, pasi të kenë përfunduar të gjitha procedurat ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

banner

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se vendi është “i hapur” për bisedime mbi një marrëveshje të tillë, duke sinjalizuar një gatishmëri për të shqyrtuar kërkesën e mundshme nga Londra.

“Nuk ka pasur bisedime zyrtare me Britaninë për këtë çështje. Nuk është ngritur deri më tani. Do të ishim të hapur për ta diskutuar, megjithatë nuk mund të them më shumë sepse nuk i di detajet. Nuk mund të jap një përgjigje për një kërkesë që nuk është bërë ende.” ishte shprehur e para e vendit.

Përveç Kosovës, në listë përfshihen edhe shtete të tjera të Ballkanit si: Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina, si dhe disa vende jashtë Evropës, me të cilat Britania synon të hapë negociata në kuadër të menaxhimit të emigracionit të paligjshëm.

Ish-ambasadori Hamiti për mundësinë e pranimit të emigrantëve nga Britania: Çdo marrëveshje duhet të jetë e ligjshme dhe në interes të dyanshëm

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ka folur pas raportimeve nga mediat ndërkombëtare se Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e vendosjes së migrantëve që mbërrijnë me varka të vogla në vende të treta si pjesë e një plani për hapjen e “qendrave të kthimit” jashtë territorit britanik.

Hamiti theksoi se çdo marrëveshje eventuale mes Kosovës dhe Britanisë për një çështje kaq të ndjeshme duhet të bazohet në interesin e përbashkët dhe në standardet ndërkombëtare të ligjshmërisë.

“Çdo marrëveshje eventuale për një zgjidhje të tillë duhet të jetë në interes të të dyja palëve. Po ashtu, të jetë e ligjshme sipas standardeve ndërkombëtare,” deklaroi ai.

Ai theksoi se për momentin nuk ka një kërkesë zyrtare nga pala britanike, dhe vetëm një kërkesë e tillë formale mund të hapë diskutimin konkret në institucionet e Kosovës.

“Kjo gjë mund të shihet kur të ketë kërkesë zyrtare, nëse do të ketë një të tillë që i drejtohet Qeverisë së Kosovës,” tha Hamiti për FrontOnline.

Duke sjellë në kujtesë precedentët e mëparshëm, Hamiti përmendi dështimin e “skemës së Ruandës” të iniciuar nga qeveria konservatore në Britani, e cila ishte rrëzuar nga Gjykata Supreme e vendit për shkak të shkeljeve ligjore dhe të drejtave të njeriut.

“Ka ekzistuar një aranzhman i tillë – ‘skema e Ruandës’ – që ka dështuar në rastin e Qeverisë së mëhershme britanike, kur në pushtet ishin konservatorët. Gjykata Supreme në Britani të Madhe e ka pasë shpallur të paligjshme, sepse Ruanda konsiderohet vend i pasigurt,” kujtoi ish-ambasadori.

Reçica: Kosova duhet të trajtojë me seriozitet iniciativat nga partnerët strategjikë, përfshirë kërkesën e mundshme nga Britania për emigrantët

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka folur për FrontOnline pas raportimeve të mediave ndërkombëtare se Mbretëria e Bashkuar po shqyrton mundësinë që Kosova të pranojë migrantët që mbërrijnë ilegalisht në Britani me varka të vogla, si pjesë e një plani për ngritjen e “qendrave të kthimit” jashtë territorit të saj.

Reçica u shpreh se Kosova, si shtet me aspirata të qarta euroatlantike dhe me marrëdhënie të ngushta me Britaninë e Madhe, duhet t’i trajtojë me seriozitet të gjitha iniciativat që vijnë nga partnerët strategjikë.

“Kosova, si një shtet me aspirata të qarta për integrim euroatlantik dhe me marrëdhënie të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar, duhet të trajtojë me seriozitet të gjitha iniciativat që vijnë nga partnerët strategjikë,” theksoi Reçica.

Ai theksoi se nëse një kërkesë e tillë do të formalizohej nga autoritetet britanike, ajo do të kërkonte një vlerësim të kujdesshëm institucional dhe shtetëror, duke marrë parasysh kapacitetet e vendit dhe nevojën për përkrahje ndërkombëtare.

“Kosova ka disa kapacitete administrative dhe infrastrukturore, por një marrëveshje e tillë do të duhej të bazohej në standarde të larta të sigurisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe ndihmës ndërkombëtare teknike dhe financiare,” u shpreh ai.

Nga një këndvështrim strategjik, Reçica nuk e përjashton mundësinë që një marrëveshje e tillë të sjellë përfitime të caktuara për vendin, përfshirë bashkëpunim më të thelluar me Britaninë, zhvillim ekonomik dhe punësim lokal.

“Një marrëveshje e mundshme me Mbretërinë e Bashkuar mund t’i sjellë Kosovës disa përfitime: si rritje të bashkëpunimit bilateral, forcim të kapaciteteve për menaxhimin e migracionit, investime në infrastrukturën lokale dhe krijim të vendeve të reja të punës, veçanërisht në zonat ku do të vendoseshin këto qendra,” deklaroi ish-ministri.

Megjithatë, ai theksoi se çdo vendim duhet të kalojë nëpër një proces të gjerë institucional dhe demokratik, duke përfshirë Kuvendin e Kosovës, institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile.

“Një vendim i tillë duhet të kalojë nëpër një proces të gjerë institucional dhe demokratik, përfshirë Kuvendin e Kosovës, institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile, për të garantuar që çdo angazhim ndërkombëtar të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe vlerat themelore të shtetit tonë,” përfundoi Reçica.

Eksperti i sigurisë: Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Britanisë për pranimin e emigrantëve

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka folur pas raportimeve nga mediat ndërkombëtare se Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e hapjes së një sërë “qendrash kthimi” për migrantët jashtë territorit të saj, ku përfshihet edhe Kosova si një nga opsionet

Islami theksoi marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, duke e cilësuar këtë të fundit si një aleat strategjik të vendit tonë në shumë fusha, përfshirë sigurinë.

“Kosova dhe Britania e Madhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Qoftë në aspektin politik dhe në sfera të tjera dhe në sferën e sigurisë. Britania e Madhe së fundmi e ka pajisur Policinë e Kosovës me pajisje që luftojnë krimin e organizuar dhe kontrabandën,” tha Islami.

Ai rikujtoi edhe përkrahjen që Kosova ka marrë nga Britania në arenën ndërkombëtare dhe rolin që ky shtet ka pasur si mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës në proceset kyçe politike dhe të sigurisë.

“Duke pasur parasysh edhe në rrafshin politik, Britania është aleat strategjik dhe Kosova e ka pasur përkrahjen nga ajo,” shtoi ai.

Islami përmendi gjithashtu edhe bashkëpunimin e mëparshëm të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çështjen e pranimit të përkohshëm të qytetarëve afganë që ikën nga regjimi taleban, duke theksuar se një qasje e tillë duhet të ndiqet edhe ndaj kërkesës britanike.

“Kosova ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim me SHBA kur disa afgan, kur talebanët fituan në Afganistan, dhe një pjesë e tyre që ishin pro-perëndimore, dhe me këtë Kosova duhet të i përgjigjet pozitivisht Britanisë së Madhe krahas kësaj kërkese’’ tha ai.

Sipas tij, vendosja e qendrave për migrantë nuk paraqet barrë financiare për Kosovën, pasi ato menaxhohen dhe financohen nga vetë shtetet që i ngritin.

“Kosova duhet t’i pranojë ata emigrantë, sepse secili shtet shpenzimet për ata emigrant i merr vet ai shtet dhe në ato qendra mbizotëron eksterritorialiteti. Kosova do të duhej ta pranonte këtë dhe t’ia lehtësojë punën Britanisë së Madhe,” përfundoi Islami.

Sociologu Selishta për mundësinë e pranimit të emigrantëve nga Britania: Kosova ka nevojë për fabrika, jo për burgje të reja nga BE-ja

Pas raportimeve të mediave ndërkombëtare që tregojnë se Britania e Madhe po shqyrton mundësinë që Kosova të pranojë migrantët që mbërrijnë ilegalisht në Britani me varka të vogla, si pjesë e planeve për të hapur një seri “qendrash kthimi” jashtë vendit, sociologu Bekim Selishta.

Selishta theksoi se Kosova është ende në fazën e ndërtimit ekonomik dhe social dhe për këtë arsye nuk ka nevojë për investime në ndërtimin e burgjeve të reja, sidomos me mbështetje nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, vendi ka nevojë urgjente për zhvillim ekonomik përmes krijimit të vendeve të punës, rritjes së industrisë dhe mbështetjes së inovacionit.

“Në kohën kur Kosova përpiqet të ngrihet ekonomikisht dhe të sigurojë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj, ndërtimi i burgjeve të reja me mbështetje nga vendet e Bashkimit Evropian është një veprim që shkon në drejtim të kundërt me nevojat reale të vendit,” tha ai.

Sociologu nënvizoi se ndërsa ligjet dhe standardet evropiane për sundimin e ligjit janë të rëndësishme dhe duhet respektuar, nuk mund të aplikohen mekanikisht në kontekstin social dhe ekonomik të Kosovës.

“Ligje evropiane, realitete të ndryshme. Është e qartë se shumë nga këto projekte vijnë si pjesë e standardeve dhe praktikave të BE-së për sundimin e ligjit. Por, ligjet evropiane nuk mund të transplantohen në mënyrë mekanike në një vend që ka sfida sociale dhe ekonomike. Ato duhet të përshtaten me realitetin në terren – dhe realiteti në Kosovë sot kërkon fabrika, jo burgje,” theksoi Selishta.

Ai vijoi duke theksuar se ndërtimi i burgjeve të reja nuk sjell përfitime të prekshme ekonomike për qytetarët dhe nuk ndihmon në përmirësimin e kushteve të jetesës apo në uljen e papunësisë.

“Përveç ndonjë simbolike politike, nuk ka përfitim të prekshëm ekonomik apo politik nga këto investime. Ato nuk krijojnë vende të reja pune për qytetarët, nuk ndihmojnë sektorët prodhues dhe as nuk kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ndërtimi i një burgu mund të zgjidhë ndonjë problem teknik të sistemit të drejtësisë, por nuk zgjidh problemet e thella të papunësisë dhe mungesës së perspektivës ekonomike,” tha ai.

Në këtë kontekst, Selishta paralajmëroi se mesazhet që dërgohen në komunitetin ndërkombëtar në lidhje me zhvillimin e Kosovës duhet të jenë pozitive dhe të pasqyrojnë nevojat reale të shoqërisë.

“Në vend që të dërgojmë mesazhe për progres dhe zhvillim, me burgjet e reja rrezikojmë t’i japim Evropës një tjetër imazh të gabuar për Kosovën: si një shoqëri që ka nevojë më shumë për ndëshkim sesa për përkrahje. Kjo e dëmton jo vetëm imazhin tonë, por edhe vetëdijen e brendshme kolektive për çfarë duhet të kërkojmë dhe çfarë duhet të ndërtojmë,” tha ai.

Për më tepër, sociologu bëri thirrje për një rishikim të prioriteve zhvillimore të Kosovës, duke theksuar se vendi ka nevojë urgjente për investime që përkthehen në vende pune dhe përparim social.

“Është koha që prioritetet të rishikohen. Kosova ka nevojë për fabrika që hapin vende pune, për shkolla që edukojnë të ardhmen, dhe për investime që sjellin jetë – jo për struktura që simbolizojnë dështimin e sistemit,” përfundoi Bekim Selishta.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy