Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike organizuan konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ku u theksua nevoja për përkushtim të shtuar institucional dhe politik në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se për Bashkimin Evropian është thelbësore të ketë një partner me të cilin mund të bisedohet për hapat konkretë drejt integrimit, duke theksuar nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.
Ai shtoi se Kosova ka mundësi reale për t’u afruar me BE-në, por theksoi se krahasimet me vendet fqinje nuk ndihmojnë në këtë drejtim.
“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – Presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Ai rikujtoi se pozicioni i BE-së për zhvillimet në veri është i qartë dhe se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.
“Mbyllja e institucioneve në veri. Sërish, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë pozicionin e tij – në mënyrë private, zyrtare dhe publike. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por, për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu,” tha ai.
Orav foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një temë që duhet trajtuar seriozisht dhe pa vonesa.
“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por qëndrimi i BE-së është sërish i qartë: duhet të bëhet. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, tha Orav.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, mbështeti thirrjen për formimin e menjëhershëm të qeverisë, duke theksuar se pa pushtet ekzekutiv funksional, përkushtimi për integrim nuk mund të konkretizohet.
Ajo foli edhe për lajmet pozitive që solli vizita e fundit e Përfaqësueses së Lartë Kallas dhe theksoi nevojën për veprime konkrete nga Kosova.
“Ajo që është thelbësore tani është të dëshmohet përkushtim dhe të sigurohet që të formohet një qeveri e re, në mënyrë që vendosmëria për integrimin në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete.Përfaqësuesja e Lartë Kallas, e përmendur tashmë javën e kaluar, solli lajme të mira për fillimin e heqjes graduale të masave të BE-së, ashtu siç ishte kërkuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës. Dhe si BE, tani kemi nevojë të shohim veprime që kontribuojnë më tej në përafrimin me vlerat dhe standardet evropiane. Më lejoni të tërheq gjithashtu vëmendjen tek Plani Evropian i Rritjes, i përmendur tashmë – një tjetër mundësi madhore për integrimin gradual të Kosovës në BE – një mundësi që tashmë pret veprimet konkrete të Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Në këtë pikë, siç e përmenda tashmë, përparësia kryesore është formimi i qeverisë dhe fillimi i menjëhershëm i punës së saj”, tha Boven.
Ambasadorja holandeze vlerësoi përparimin e bërë nga Kosova ndër vite, por theksoi se ritmi i reformave është vendimtar për suksesin e integrimit.
“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi gjithashtu për të njohur faktin se, po, ndër vite Kosova ka bërë përparim në përafrimin e saj me vlerat dhe standardet evropiane – nga ndërtimi i institucioneve deri te avancimi i praktikave demokratike. Por ritmi i përparimit përcaktohet nga ritmi i reformave. Një shtyllë qendrore e këtyre reformave është sundimi i ligjit. Një Kosovë evropiane kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, efikas dhe i besuar nga të gjithë qytetarët e saj. Lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe llogaridhënia duhet të bëhen standarde”, tha ajo.