Mirlind Daku pëlqehet shumë nga Lokomotiva Moska, por klubi nga kryeqyteti rus, nuk është i gatshëm të paguajë shumën e kërkuar nga Rubin Kazan.
Drejtuesit e klubit rus kanë refuzuar kategorikisht idenë për të investuar 10 milionë euro për sulmuesin e Rubin Kazanit, çmim që është vendosur nga klubi aktual i Dakur.
“E përjashtojmë një opsion të tillë që në start”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Lokomotivës, Vladimir Leonchenko, për “rusfootball.info”, duke hedhur poshtë çdo mundësi për një marrëveshje në këtë shumë.

Në afatin e dimrit, emri i Dakut ishte lakuar disa herë në mediat ruse si një objektiv i Lokomotivës, por negociatat nuk u konkretizuan.
Ndërkohë, interesimi për sulmuesin shqiptar nuk ka munguar as nga klube të tjera, konfirmon babai i tij, Fehmi Daku.
“Rubini ka marrë disa oferta për Mirlindin, por vendimet do të merren pas ndeshjeve ndërkombëtare. Djali im do të ulet të bisedojë me klubin kur të kthehet nga detyrat me Kombëtaren shqiptare”, deklaroi ai për “Sport 24”.
Daku është aktualisht i angazhuar me Shqipërinë, që po përgatitet për dy sfida të rëndësishme në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026: ndaj Serbisë më 7 qershor dhe Letonisë më 10 qershor.
Me një sezon të suksesshëm në Rusi, ku regjistroi 15 gola dhe 8 asistime, Daku vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes