Presidenti turk Recep Tayip Erdogan, ka njoftuar se ka emëruar një ekip juristësh për të nisur punën për shkrimin e një kushtetute të re, ndërsa ky hap po shihet gjerësisht nga kritikët si një veprim që mund t’i hapë rrugë atij për të qëndruar në pushtet përtej vitit 2028, kur edhe i përfundon mandati aktual.
“Që nga dje, kam caktuar 10 ekspertë ligjorë që të nisin punën e tyre, dhe me këtë përpjekje, do të vazhdojmë përgatitjet për kushtetutën e re,” ka thënë Erdogan para administratorëve lokalë të partisë së tij në pushtet, raporton AP.
Dihet se presidenti turk, që është në udhëheqje të vendit që nga viti 2014, ka mbështetur idenë e kushtetutës së re duke argumentuar se kushtetuta aktuale – e hartuar pas grusht shtetit ushtarak të vitit 1980 – është vjetëruar dhe ruan element të ndikimit ushtarak, edhepse ka pasur disa herë ndryshime.
Megjithatë, sipas kushtetutës aktuale, Erdogani nuk mund të kandidojë sërish për president përveç rasteve kur thirren zgjedhje të parakohshme ose nëse ndryshohet kuadri ligjor. Prandaj, përpjekja e tij për krijimin e një kushtetute të re po shihet si një mënyrë e mundshme për të anashkaluar kufizimet kushtetuese të mandateve dhe për të mundësuar kandidimin e tij të ardhshëm.
Kujtojmë se një javë më parë, Erdogani, me një qasje gjithmonë e më autoritare, mohoi se kërkon kushtetutën e re në mënyrë që të qëndrojë vetë më shumë në pushtet, duke thënë se e “kushtetutën e re nuk e duam për veten tonë, por për vendin tonë”.
Megjithatë, dihet se partia në pushtet e Erdoganit dhe aleatët e saj nacionalistë nuk kanë votat e nevojshme për të miratuar një kushtetutë të re. Prandaj, ka disa analistë që besojnë se edhe përpjekjet e fundit të qeverisë për t’i dhënë fund konfliktit disa dekadash me Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK) janë pjesë e një strategjie për të siguruar mbështetjen e një partie pro-kurde në parlament për kartën e re kushtetuese.
Përpjekja për të krijuar një kushtetutë të re vjen vetëm disa muaj pas arrestimit të Ekrem Imamoglu, kryetarit popullor të Stambollit dhe një rival i rëndësishëm i Erdoganit. Imamoglu u arrestua nën akuzat për korrupsion, megjithëse arrestimi i tij shihet si politikisht i motivuar dhe ka nxitur protesta të shumta në mbarë vendin, në kërkim të lirimit të tij