Presidenti i Serbisë, Aleksnader Vuçiq, ia ka ndarë “Urdhrin e Flamurit Serb”, kongresistes amerikane, Claudia Tenney. Këtë Vuçiq ka bërë për të vlerësuar, siç thotë ai “kontributin e Tenney për forcimin e raporteve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Në një postim në ‘facebook’, presidenti serb gjithashtu ka përmendur edhe qëndrimet e Tenney në raport me paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu ka përmendur edhe dialogun Kosovë -Serbi.
“Po aq e rëndësishme është mbështetja juaj e vazhdueshme në ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe një kontribut në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, përmes dialogut dhe pavarësisht të gjitha dallimeve tona mbi këtë çështje të rëndësishme për Serbinë. Ju falënderoj veçanërisht për mirëkuptimin e nevojës për të respektuar të drejtat e serbëve dhe popullsisë tjetër joshqiptare në Kosovë, si dhe për kritikën e guximshme ndaj lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, kur këto të drejta u shkelën në mënyrë të njëanshme”, ka shkruar Vuçiq.