Ambasadori Antonini: Italia mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

by Nexhat

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka organizuar sonte pritje për personalitete të larta në Kosovë, me rastin e festës kombëtare italiane.

Ambasadori i ri i Italisë, Maurizio Antonini, tha se Dita e Republikës së Italisë është një simbol i unitetit kombëtar dhe i demokracisë.

banner

Ai para të pranishmëve tha se Italia mbështet rrugën euro-integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian duke përmendur rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkan si një strategji kyçe për stabilitetin politik dhe sigurinë e të gjithë kontinentit.

“Për 25 vjetët e fundit, Italia ka mbetur e përkushtuar në mënyrë të qëndrueshme ndaj parimeve të stabilitetit, zhvillimit dhe demokracisë në Kosovë, duke qenë një nga vendet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës si një shtet të pavarur dhe sovran. Angazhimi ynë i qëndrueshëm është mishëruar në misionin e KFOR-it, ku stafi ynë ushtarak ka luajtur një rol thelbësor. Kontingjenti italian është më i madhi brenda KFOR-it. Ai është një burim i paçmuar që ka mbështetur Kosovën në përballimin e shumë sfidave gjatë viteve dhe vazhdon ta bëjë këtë me guxim. Si pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, forcat tona të armatosura do të qëndrojnë këtu për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e këtij vendi, së bashku me partnerët tanë….Italia mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Është për t’u vlerësuar se si Kosova ka përqafuar vlerat dhe parimet thelbësore të Bashkimit Evropian, siç është dëshmuar ndër të tjera me përputhjen e plotë të saj me politikat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Ne dëshirojmë që Kosova të vazhdojë në këtë rrugë të integrimit progresiv në Bashkimin Evropian, pa hezitim dhe pa dyshim, siç është theksuar gjatë vizitës së fundit në Kosovë, të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas”, tha ai.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajti edhe presidentja Vjosa Osmani duke vlerësuar mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës si një mike e palëkundur në kohët më të vështira, si dhe gjatë rrugëtimit të vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Italia ka qenë një mike e palëkundur për Kosovën në kohët tona më të vështira dhe gjatë gjithë rrugëtimit tonë përpara. Që nga ditët e para të çlirimit tonë, trupat italiane kanë shërbyer në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja dhe kanë qëndruar krah për krah me ne, duke na ofruar shpresë kur na duhej më shumë. Në mesin e shumë aleatëve tanë të fortë, Italia qëndron si një vend që ka vepruar vazhdimisht përtej detyrës, duke ofruar jo vetëm mbështetje politike dhe ushtarake, por edhe miqësi të vërtetë. Ne jemi veçanërisht mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Italisë për shtetësinë e Kosovës, duke qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë tonë dhe duke mbështetur gjithashtu aspiratat tona për integrim të plotë euroatlantik”, tha ajo.

Pjesë e festës kombëtare të Italisë ishin edhe ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe liderë partiakë, por jo edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy