Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka reaguar ndaj qëndrimit të institucioneve shtetërore ndaj sektorit privat, duke e cilësuar qasjen e tyre si arrogante dhe të papërgjegjshme në një periudhë kur bizneset janë duke u përballur me sfida të mëdha ekonomike.
Përmes një deklarate publike të shpërndarë sot, Dreshaj ka theksuar se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përfshirë Ministren e Ekonomisë, kanë zgjedhur të mbulojnë dështimet e tyre përmes fjalimeve boshe dhe etiketimeve, në vend që të ofrojnë zgjidhje konkrete për një sektor që mban në këmbë ekonominë e vendit.
“Në një periudhë kur sektori privat po përballet me pasiguri energjetike dhe rreziqe serioze për prodhimtarinë dhe punësimin, është e papranueshme që përfaqësues të Qeverisë të flasin pa ndjesi përgjegjësie, sikur të ishin konsulentë të shkëputur nga realiteti,” deklaron Dreshaj.
Ai ka shprehur zhgënjimin e thellë për mënyrën se si institucionet po e trajtojnë zërin e sektorit privat – që në vend të dëgjohet dhe të mbështetet, po stigmatizohet dhe përçmohet publikisht.
“Nëse nuk janë në gjendje të na ndihmojnë, të paktën të mos na ofendojnë,” apelon ai.
Sipas Dreshajt, qeveria aktuale po tregohet e paaftë të menaxhojë sfidat ekonomike të vendit dhe gjithnjë e më shumë po përqendrohet në diskurs përçarës dhe populist, duke e shpërfillur rolin vendimtar që ka sektori privat si kontribuues kryesor në buxhetin e shtetit dhe në krijimin e vendeve të punës.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve institucionalë dhe politikë që të reflektojnë urgjentisht dhe të vendosin interesin e qytetarëve dhe të ekonomisë mbi interesat partiake.
“Kërkojmë bashkëpunim, respekt dhe zgjidhje – jo përçmim, arrogancë dhe retorikë boshe,” përfundon reagimi.
Deklarata e Dreshajt vjen në vazhdën e tensioneve në rritje ndërmjet komunitetit të biznesit dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat janë intensifikuar pas protestave të fundit në Prishtinë, ku përfaqësues të sektorit privat kërkuan ndryshim të qasjes institucionale dhe më shumë mbështetje për sfidat që po përjetojnë.