Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka ngritur kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm politikat e tij, por edhe mënyrën e funksionimit politik që – sipas saj – bazohet në krijimin e dramave të vazhdueshme për të mbajtur vëmendjen publike.
Në një reagim në profilin e saj në Facebook, Hoxha shpreh shqetësimin e saj për mënyrën se si po menaxhohet çështja e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e konsideruar procesin aktual si të dëmshëm për ekonominë e vendit.
“Njeriu i cili jeton vetëm për dhe me drama do analizë e diagnozë të vërtetë,” shkruan Hoxha, duke i referuar Kurtit si “deputeti aka Kryeministri ilegal në detyrë”.
Sipas saj, pavarësisht se Kurti po shfaqet si përkrahës i liberalizimit të tregut, realiteti është i ndryshëm. Ajo thekson se një treg nuk mund të quhet i liberalizuar nëse operon vetëm një kompani, dhe për më tepër, mungesa e një periudhe tranzitore për përgatitjen e bizneseve tregon për një qasje të papërgjegjshme nga qeveria.
“Nuk ka liberalizim me vetëm një kompani si e para,” shkruan Hoxha. “Ky vendim arbitrar dëmton sektorin që është taksapaguesi më i madh i buxhetit të shtetit dhe deformon edhe idenë e tregut të lirë.”
Reagimi i saj vjen në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, ku qeveria në ikje po përballet me valë kritikash për shkak të zvarritjeve në konstituimin e institucioneve dhe për shkak të zhvillimeve të fundit në fushën e ekonomisë dhe energjisë. Protestat e sektorit privat, që kanë bllokuar sot hyrjet e Prishtinës, janë vetëm një prej simptomave të pakënaqësisë së gjerë në vend.