Finalja e Kupës së Suedisë ndërmjet Malmos dhe Hackenit përfundoi pa gola gjatë kohës së rregullt dhe vazhdimeve, duke u vendosur më pas nga gjuajtjet e penalltive, ku “hero” i Hackenit u bë portieri shqiptar, Etrit Berisha.
Hackeni fitoi Kupën e Suedisë për vitin 2025, me Berishën si protagonist absolut. Ai shkëlqeu me pritjet e tij vendimtare, duke ruajtur portën e paprekur në kohën e rregullt dhe gjatë shtesave.
Në pjesën e parë, Berisha bëri disa ndërhyrje vendimtare për të mbajtur rezultatin 0-0. Edhe në pjesën e dytë, ai vazhdoi me paraqitjen e tij të sigurt, duke qenë në krye të detyrës në momentet më të vështira për skuadrën.

Ndeshja pati shumë tensione në fushë, por pavarësisht përpjekjeve të të dyja ekipeve, goli mungoi dhe gjithçka u vendos nga pika e bardhë.
Në serinë e penalltive, Etrit Berisha ishte në qendër të vëmendjes. I njohur si portier që jo vetëm pret penallti, por edhe i realizon ato, Berisha priti penalltinë e parë dhe të tretë të Malmos. Më pas, ai realizoi me saktësi penalltinë e katërt për Hackenin.
Hackeni fitoi 4-2 pas goditjeve nga pika e bardhë, duke e fituar kështu për herë të katërt në histori trofeun e Kupës së Suedisë. Sa i përket titullit të kampionit, Hackeni e ka fituar vetëm një herë, në vitin 2022.

Pas ndeshjes, Berisha deklaroi: “Ndiheshim të qetë që afrohej koha e gjuajtjes së penalltive. Gjatë kohës shtesë u përpoqëm ta ruanim portën e paprekur dhe të luanim më shumë në mbrojtje. E dinim që ishim të mirë në penallti”