Një akt i rrallë ndershmërie është regjistruar të martën në qytetin e Klinës, ku qytetari Pal Berisha nga fshati Dugojevë ka dorëzuar në stacionin policor një kuletë të cilën e kishte gjetur gjatë ditës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në kuletën e gjetur ndodheshin 42 euro para të gatshme dhe disa dokumente personale që i përkisnin një qytetari tjetër.
“Policia ka identifikuar dhe ka kontaktuar personin të cilit i kishte humbur kuleta. I njëjti është ftuar në Stacionin Policor në Klinë, ku nga zyrtarët policorë i është kthyer kuleta me të gjitha sendet brenda – përfshirë të hollat dhe dokumentet personale”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Policia ka falënderuar publikisht z. Berisha për veprimin shembullor, duke e cilësuar si një dëshmi të lartë të përgjegjësisë qytetare dhe integritetit moral.